“Më çoni edhe në Spaç, nuk përkulem”, Veliaj shpërthen ndaj Ramës: Nuk më shantazhon dot me akuza për terrorizëm
Përplasja mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës ka marrë përmasa të reja. Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim, ka bërë publike përgjigjet që thotë se ia ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një takimi në burgun e Fierit, duke lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit.
Veliaj pretendon se Rama po përdor transferimin e tij në burg, kërcënimet me akuza të tjera penale dhe presionin për dorëzimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës për ta detyruar të tërhiqet.
“E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s'të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit. Turp që KM merret vetë me internimet. Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin. Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity”, shkruan Veliaj.
Ai shkon më tej, duke pretenduar se përmes ministrit i janë përcjellë edhe mesazhe lidhur me akuzat penale dhe dënimin e mundshëm.
“Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem. Çfarë ‘nderi’ duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr? Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim? Kjo e prok që thua ‘duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur’ është turp për ju që bëni këto muhabete”, shprehet ai.
Një nga pjesët më të forta të reagimit lidhet me protestat studentore. Veliaj mohon kategorikisht të ketë lidhje me organizimin apo financimin e tyre, ndërsa pretendon se në komunikimin me të janë përmendur edhe akuza për terrorizëm dhe rrëzim të rendit kushtetues.
“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve - këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm. Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush. Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA”, shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku shprehet se nuk mund të jetë përgjegjës për protesta kundër institucioneve që, sipas tij, i ka drejtuar dhe administruar për vite me radhë. Ai kritikon gjithashtu përbërjen e qeverisë dhe kujton angazhimin e tij në protestat e Partisë Socialiste.
“Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia. Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë. Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në ‘28 janar’ (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm”, deklaron ai./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















