top of page

“Ndal policia”, si u kap 58-vjeçari që tentoi të grabiste bankën: Dy policë i drejtuan armët sapo doli nga dera

  • 3 hours ago
  • 1 min read

“Ndal policia”, këto ishin fjalët që iu drejtuan 58-vjeçarit Bardhyl Fusha, i cili paraditen e së enjtes tentoi të grabiste filialin e FiBank, bankës së nivelit të dytë, në zonën e ish-Parkut në Tiranë.


I armatosur me kallashnikov, 58-vjeçari ka hyrë në mjediset e bankës, madje ka qëlluar edhe njëherë në dysheme, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.


Ngjarja ka ndodhur disa minuta, ndërsa në momentin që ka tentuar të largohet nga banka, pa arritur të marrë asnjë shumë parash, ai është përballur me dy punonjës policie.

“Ndal mos lëviz, policia”, i janë drejtuar 58-vjeçarit, ndërsa të dy punonjësit e policisë i kishin drejtuar pistoletat në drejtim të tij.


Ai nuk ka bërë rezistencë, ndërsa ka ulur armën. Një prej policëve i është afruar për ti vënë prangat, ndërsa 58-vjeçari qëndronte në këmbë. Një çantë e zezë shpine dhe arma automatike u lanë prej tij në hyrje të filialit të bankës, vend ku ai i la pasi u përball me policët.


Në një njoftim zyrtar, Policia tha se “rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi Bardhyl Fusha, rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme.


“Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.


Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin”, njoftonte Policia./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page