Ndarja e papritur nga jeta e 27-vjeçares trondit komunitetin sportiv
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv në Rumani dhe rrjetet sociale, pas ndarjes nga jeta të influencueses dhe fotografes së futbollit Mălina Maria Guler, vetëm 27 vjeçe. Ajo ishte e njohur për punën e saj në mbulimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve të klubit FC Bihor Oradea, si dhe për praninë aktive në rrjetet sociale, veçanërisht në Instagram.
Lajmi i ndarjes së saj nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta mes ndjekësve, miqve dhe figurave të sportit, të cilët kanë shprehur trishtimin dhe ngushëllimet për familjen e saj. Autoritetet lokale bëjnë me dije se rrethanat e vdekjes janë ende nën hetim, ndërsa nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi shkaqet.
Burime pranë familjes kanë konfirmuar se 27-vjeçarja kishte kaluar një periudhë të vështirë personale dhe shëndetësore kohët e fundit. Disa orë para ndarjes nga jeta, ajo kishte publikuar materiale nga një aktivitet kulturor në qytet, çka e bëri lajmin edhe më tronditës për ndjekësit e saj.
Klubi FC Bihor Oradea reagoi me një mesazh ngushëllimi, duke vlerësuar kontributin profesional të Mălina Maria Guler gjatë sezonit 2023–2024. Në reagimin e tij, klubi thekson rolin e saj në dokumentimin e momenteve kyçe të ekipit dhe përkushtimin që ajo tregoi në punën e saj.
Hetimet nga autoritetet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa komuniteti sportiv rumun i është bashkuar familjes në këto momente të vështira zie.
"KORCA BOOM"



















