Ndjekje si në filma: Refuzon ndalimin, rrezikon jetët dhe përfundon në pranga
- 8 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, ku një 40-vjeçar është vënë në prangat e Policisë pas një ndjekjeje të rrezikshme në rrugët e Tiranës.
Bëhet fjalë për Mishel Prela, i cili sipas Policisë dyshohet se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe alkoolit, ndërkohë që nuk dispononte as leje drejtimi.
Ngjarja ka ndodhur pranë Sheshi Wilson, ku shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit, pasi ai po kryente manovra të rrezikshme në rrugë. Por, në vend që t’i bindej urdhrit, 40-vjeçari ka shtuar shpejtësinë, duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve dhe të efektivëve.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka përplasur edhe automjetin e Policisë, duke e përshkallëzuar situatën. Pas ndjekjes, efektivët kanë arritur ta neutralizojnë dhe ta shoqërojnë në komisariat.
Gjatë shoqërimit, i dyshuari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij tip Volkswagen, është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike, e dyshuar kokainë.
Policia bën me dije se kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë intensivisht, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla, që rrezikojnë jetën në rrugë.
“KORÇA BOOM”
















