top of page

Nga 1 janari 2026 kufizohet përdorimi i parasë cash në Shqipëri

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 days ago
  • 1 min read

Që prej 1 janarit 2026, Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një fazë të re të pagesave, duke vendosur për herë të parë një kufi ligjor për përdorimin e parasë fizike nga qytetarët dhe bizneset.


Sipas ndryshimeve të reja në ligjin e Procedurave Tatimore, qytetarët nuk do të lejohen të kryejnë pagesa me para në dorë mbi 500 mijë lekë në muaj. Çdo transaksion që e tejkalon këtë vlerë do të duhet të realizohet përmes sistemit bankar, duke përdorur karta bankare, transferta ose forma të tjera pagesash elektronike.


Ky ndryshim prek drejtpërdrejt mënyrën se si kryhen blerjet e përditshme, pagesat për shërbime si dhe transaksionet mes subjekteve tregtare. Për shembull, nëse një qytetar dëshiron të blejë mobilje për shtëpinë apo pajisje elektroshtëpiake me vlerë mbi 500 mijë lekë, pagesa nuk mund të bëhet më me cash, por vetëm përmes bankës.


Vendosja e këtij kufiri aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe synon të reduktojë qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar, të rrisë transparencën financiare dhe të forcojë luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.


Autoritetet argumentojnë se kjo masë do të nxisë përdorimin e pagesave elektronike dhe do ta afrojë vendin me standardet europiane të kontrollit financiar.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page