top of page

Nga 1 vit burg në pafajësi, por beteja ligjore e Luiz Ejllit vazhdon

  • 9 hours ago
  • 2 min read

Fati ligjor i Luiz Ejllit, ka marrë një kthesë të papritur që mund të lëkundë qetësinë e tij. Edhe pse ai arriti të korrte një fitore të rëndësishme në Gjykatën e Apelit më 8 Maj 2025, ku u shpall i pafajshëm, Prokuroria e Apelit nuk është dorëzuar.


Organi i akuzës ka vendosur të ankimojë këtë vendim, duke e dërguar çështjen zyrtarisht në Gjykatën e Lartë, çka do të thotë se kapitulli i tij me drejtësinë mbetet ende i hapur dhe me pasoja të paparashikueshme.


Gjithçka nisi kur Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Ejllin me 1 vit burg, nën akuzën e rëndë të falsifikimit të dokumenteve. Sipas dosjes hetimore, ngjarja ka ndodhur në një kohë kur Ejlli nuk ushtronte zyrtarisht profesionin e noterit, por dyshohet se ka përdorur vulat për të kryer veprime ligjore të paautorizuara.


Ndonëse pafajësia në Apel u festua nga ndjekësit e tij të shumtë, insistimi i Prokurorisë për ta dërguar dosjen në shkallën më të lartë të gjyqësorit tregon se prokurorët janë të bindur për provat e tyre. Tashmë, fati i tij ndodhet në duart e gjyqtarit Sokol Binaj, i cili është caktuar si relator i kësaj çështjeje delikate.


Prapaskenat e kësaj dosjeje bëhen edhe më të errëta kur shohim emrin e personit që përfitoi nga këto veprime, Fatmir Avdurramani, i cili është dënuar bashkë me këngëtarin. Avdurramani nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi rezulton i dënuar më parë në Itali për shfrytëzim prostitucioni.


Lidhja mes tyre bëhet edhe më problematike kur kujtojmë se në vitin 2021 Avdurramanit iu sekuestruan pasuritë, ndërsa në vitin 2022 ato u konfiskuan përfundimisht.


Ky bashkëpunim i dyshuar me një person me precedentë të rëndë penalë është pikërisht ajo që Prokuroria po kërkon të vërtetojë para Gjykatës së Lartë, duke kërkuar rikthimin e dënimit me burg për shkodranin./ JOQ Albania

"KORCA BOOM"


bottom of page