Nga Kanadaja drejt Shqipërisë, zbulohet ngarkesa me vlerë rreth 1 milion euro
Një operacion policor kundër trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike është finalizuar në Portin e Durrësit, ku autoritetet kanë sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC.
Operacioni, i koduar “Anchor”, ka zbuluar një sasi të konsiderueshme droge, e cila dyshohet se ishte siguruar në Ontario të Kanadasë dhe më pas ishte transportuar drejt Shqipërisë.
Sipas hetimeve, lënda narkotike ishte ndarë në 127 pako dhe ishte fshehur në një hapësirë të modifikuar të një automjeti të porositur në Kanada. Autoritetet vlerësojnë se vlera e drogës në treg arrin rreth 1 milion euro.
Gjatë operacionit janë sekuestruar gjithashtu tre automjete, pesë telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetas kosovarë: Taulant Duraku, 32 vjeç, Luan Gashi, 26 vjeç dhe Besfort Jaka, 40 vjeç.
Ndërkohë, dy persona të tjerë, një shtetas nga Kukësi dhe një banues në Ontario të Kanadasë, janë shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë rast të trafikimit ndërkombëtar të kanabisit.
Operacioni “Anchor” është finalizuar nga strukturat e Policisë së Durrësit në bashkëpunim me strukturat e tjera ligjzbatuese, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të itinerarit të lëndës narkotike dhe personave të përfshirë.
“KORÇA BOOM”
















