Nga Lutfi Dervishi / Tronditet Korça! Zbulohet një specie unike, një protestues!
- Aug 4, 2025
- 2 min read
Updated: Aug 5, 2025
Në Korçë është zbuluar një qenie e rrallë: një protestues. Jo me pankarta. Jo me peticione. Por me një... gur në dorë. I vetëm. Pa shoqëri. Pa sponsor. Pa hashtag. Pa kamera. Natën. Goditi një xham të godinës së bashkisë.
Ky burrë, në moshë madhore, nuk është pjesë e ndonjë grupi rebel, nuk ka bërë thirrje për revolucion dhe nuk ka kërcënuar askënd. Thjesht nuk duroi më.
Mediat kombëtare e morën videon, të publikuar nga vetë protestuesi në TikTok, dhe ia përcollën menjëherë për analizë institucioneve kompetente.
Zyrtarisht thuhet se protestuesi është ndaluar nga policia, por burime pranë ngjarjes bëjnë me dije se ai është dërguar për ekzaminim mjekësor jashtë vendit.
Ekspertët kanë vënë re sjellje të pazakontë, pasi kanë konstatuar se i riu nuk kishte bërë selfie, nuk ishte influencer, nuk ishte paguar dhe, më e çuditshmja, nuk ishte anëtar partie.
Shkencëtarët po studiojnë trurin e tij për të kuptuar se çfarë e shtyn një njeri të reagojë realisht, në vend që të shkruajë një koment anonim në Facebook apo Instagram.
Analistët e shpjegojnë këtë sjellje si pasojë e temperaturave të larta të ditëve të fundit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar mbi fatin e këtij protestuesi – një specie e mbijetuar nga koha kur njerëzit mendonin me mendjen e tyre.
Sjellja e tij nuk përcaktohet ende në Kodin e ri Penal, por po shqyrtohet futja e një neni të ri:
Neni 1099/1 – Reagimi pa miratim paraprak.Dënimi: 30 ditë heshtje publike dhe 6 muaj bërje komentesh pozitive në postimet e ministrave dhe kryeministrit ("Bravo", "Ju lumtë", etj.).
Ndërkohë, UNESCO po shqyrton mundësinë që veprimi i tij të përfshihet në listën e trashëgimisë shpirtërore në rrezik.
“KORÇA BOOM”
















