top of page

NGJARJA/ Vd*kja tragjike e 19-vjeçares pas natës në hotel me 3 të rinj, mes tyre një shqiptar

  • 4 hours ago
  • 2 min read

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kefalonisë në Greqi pasi një vajzë 19-vjeçare ka humbur jetën në qendër të Argostolit. Mediat greke, kanë zbardhur detaje shqetësuese nga orët e fundit të saj, ndërsa mes të arrestuarve është edhe një 22-vjeçar shqiptar.


Sipas burimeve policore, e reja kishte kaluar natën në një hotel së bashku me tre të rinj të moshave 23, 26 dhe 22 vjeç. Ajo kishte mbërritur aty rreth mesnatës me 23-vjeçarin. Më vonë, rreth orës 02:00, dyshohet se grupi konsumoi kokainë, e cila u sigurua nga 26-vjeçari, një ish-peshëngritës.


Ky i fundit kishte sjellë edhe një sasi të dytë, duke u kthyer në hotel i shoqëruar nga 22-vjeçari shqiptar, i cili thuhet se nuk kishte përdorur lëndë narkotike.


Rreth orës 03:00, gjendja e vajzës u përkeqësua ndjeshëm dhe ajo humbi ndjenjat. Sipas dëshmive, tre të rinjtë e transportuan jashtë hotelit dhe e lanë në sheshin qendror të Argostolit në gjendje të pavetëdijshme, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.


Pak më vonë, ekipet e urgjencës e gjetën pranë një lokali dhe e dërguan me urgjencë në spital. Edhe pse mbërriti me shenja jete, ajo ndërroi jetë rreth orës 05:15, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.


Pamjet e kamerave të sigurisë, të analizuara nga policia, tregojnë një prej të rinjve duke e mbajtur në krahë, ndërsa dy të tjerët e ndjekin. Identifikimi i tyre u bë i mundur përmes regjistrimeve nga hoteli dhe zonat përreth.


Tre të rinjtë akuzohen për braktisje në kushte rreziku me pasoja fatale dhe pritet të dalin para prokurorisë. Ndërkohë, trupi i pajetë i 19-vjeçares është dërguar për autopsi në Patra, ndërsa analizat pritet të zbardhin shkaqet e sakta të vdekjes brenda dy javësh.


Një rol kyç në hetime ka 26-vjeçari, ish-sportist i suksesshëm në peshëngritje me medalje ndërkombëtare, i cili së fundmi ishte rikthyer në Argostoli pas një karriere premtuese.


Familja e viktimës kërkon drejtësi dhe sqarime për rrethanat e ngjarjes. Nëna e saj ka treguar për mediat greke se kishte folur me të bijën pak para ngjarjes dhe ishte e shqetësuar për shoqërinë e saj. Sipas saj, një nga të rinjtë kishte pranuar përmes një mesazhi se e kishin lënë vajzën vetëm në gjendje të rëndë.


Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje tragjike dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit të përfshirë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page