top of page

“Një familje pret përgjigje, një prokurore hesht: Dosja e Guidos, e ngrirë prej 6 muajsh”

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 4 days ago
  • 2 min read

6 muaj pas ngjarjes tragjike ku i dha fund jetës 20-vjeçari pogradecar, videographeri Guido Dervishllari, familja e tij vazhdon të jetojë me boshllëkun e rëndë që ka lënë pas dhe me pyetjet pa përgjigje.


Por ajo që i rëndon edhe më shumë, është fakti se as sot nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se çfarë e çoi të riun drejt këtij akti ekstrem.


Të afërmit tregojnë se Guido nuk kishte shfaqur asnjë shenjë problemi, ankthi apo ndryshimi në sjellje.


Sipas tyre, në shtëpi ai ishte i qetë, i përkushtuar ndaj punës dhe nuk kishte lënë asnjë sinjal që mund të paralajmëronte tragjedinë e 7 qershorit.


Megjithatë, ndërsa kanë kaluar 6 muaj, Prokuroria e Korçës duket se vijon të heshtë, duke mos ofruar ende asnjë të dhënë mbi hetimet që zhvillohen për vetëvrasjen e dyshimtë të 20-vjeçarit.


Prej muajsh janë sekuestruar telefoni, laptopi dhe pajisje të tjera të Guidos, por sipas familjarëve, ato nuk janë kontrolluar ende. Asnjë material, asnjë mesazh, asnjë komunikim nuk është verifikuar, duke e lënë enigmën edhe më të thellë.


Kështu lindin një sërë pyetjesh të forta:

-Kush kanë qenë personat e fundit që kanë folur me Guidon?

-Çfarë fshihet në ato biseda?

-A ka aty informacione që mund të çojnë drejt së vërtetës?

-Nëse po, përse Prokuroria hesht?

-Përse nuk analizohen pajisjet e sekuestruara?


Të afërmit pohojnë se mesazhet e Guidos në WhatsApp figurojnë ende me një , çka tregon se prokurorja e çështjes nuk i ka hapur.


Kjo përforcon edhe më shumë dyshimet e tyre se hetimi jo vetëm ka ngecur, por nuk ka nisur realisht.


Pyetja që ngrihet sot është e thjeshtë dhe e rëndë:


Çfarë e pengon Prokurorinë e Korçës të zbardhë ngjarjen?

Qoftë edhe për të deklaruar me prova se në telefon, në komunikime apo në pajisje elektronike nuk ka asgjë komprometuese?


Familja ka kërkuar vetëm një përgjigje të sinqertë e të argumentuar, të cilën e pret prej gjashtë muajsh.


Nëse bëhet fjalë për një vetëvrasje të pastër, përse çështja nuk është mbyllur?

E nëse nuk është kaq e thjeshtë, përse nuk ndërmerren veprimet minimale hetimore, duke shqyrtuar pajisjet dhe rrjetet sociale të të riut?


Në gjashtë muaj, në vend janë zbardhur vrasje të lidhura me krimin e organizuar, ndërsa për një rast vetëvrasjeje, organit të akuzës duket se nuk i mjafton i njëjti afat për të dhënë disa përgjigje elementare.


Ky është vetëm shkrimi i parë që ngrihet publikisht për Guido Dervishllarin, me shpresën se Prokuroria e Korçës do të "zgjohet" dhe do të japë qoftë një shpjegim të parë, duke u kujdesur të mos lërë një familje të tërë në errësirë.


Ndërkohë familjarët shprehen të gatshëm të bëjnë gjithçka për të marrë një përgjigje të qartë e shteruese.


Sepse e vetmja përgjigje që kanë marrë deri më sot, edhe pa hyrë në zyrën e prokurores që “heton” çështjen, është vetëm një fjali:


“Çështja është në hetim.”

Por 6 muaj hetim, deri tani, kanë prodhuar vetëm heshtje.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page