top of page

“Nuk kam pirë kurrë cigare”, Sarah Khalifa shpërthen në lot pas dënimit me vd*kje

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Me lot në sy dhe duke kërkuar “mëshirë dhe humanizëm”, prezantuesja egjiptiane Sarah Khalifa ka shpërthyer në sallën e gjyqit, pak ditë pasi u dënua me vdekje për një çështje të trafikut të drogës.


Pas shpalljes së vendimit, Khalifa ka pretenduar se është bërë padrejtësi ndaj saj dhe ka këmbëngulur se nuk ka lidhje me akuzat e ngritura. “Nuk kam pirë kurrë cigare në jetën time”, mësohet të ketë thënë ajo në sallën e gjyqit.


Sipas CNN, prezantuesja është shprehur gjithashtu: “Betohem në Zotin e Plotfuqishëm, me betimin më të fortë, se më është bërë padrejtësi”.


Khalifa ka deklaruar se përballet edhe me probleme serioze shëndetësore dhe se vuan nga një tumor.


Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë u dënuan me vdekje me varje nga një gjykatë në Kajro, pasi u shpallën fajtorë për akuza që lidhen me prodhimin, promovimin dhe trafikimin e drogës sintetike, si dhe posedimin dhe transportimin e armëve të zjarrit dhe municioneve pa licencë.


Megjithatë, vendimi nuk është ende përfundimtar dhe mund të apelohet.


Përpara shpalljes së vendimit, gjykata u konsultua me Myftiun e Madh të Egjiptit, një procedurë e parashikuar nga ligji egjiptian në rastet kur gjykata vendos dënimin me vdekje.


Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, procesi gjyqësor u bazua në 20 dëshmi dëshmitarësh dhe prova fotografike, të cilat autoritetet pretendojnë se dokumentojnë aktivitetin kriminal të Khalifa-s dhe të pandehurve të tjerë.

Prokurorët pretendojnë se të pandehurit përdorën dy apartamente si laboratorë për ruajtjen dhe prodhimin e lëndëve narkotike. Gjatë hetimeve, autoritetet njoftuan sekuestrimin e më shumë se 750 kilogramëve drogë sintetike dhe lëndë të para të përdorura për prodhimin e tyre.


Çështja u bë publike në prill të vitit 2025, kur Ministria e Brendshme egjiptiane njoftoi sekuestrimin e rreth 200 kilogramëve drogë dhe lëndë të para, si dhe bizhuteri ari, para në monedhën vendase dhe të huaj dhe pesë automjete. Autoritetet e vlerësuan pasurinë e sekuestruar, që dyshohej se vinte nga aktiviteti kriminal, në rreth 489 milionë euro.


Pas përfundimit të hetimeve, sasia totale e drogës dhe lëndëve të para të sekuestruara në këtë rast e kaloi 750 kilogramët, ndërsa mediat egjiptiane raportuan se vlera e tyre potenciale pas prodhimit dhe tregtimit mund të tejkalonte një miliard euro.


Sarah Khalifa, e cila ka rreth 2.6 milionë ndjekës në Instagram, është një figurë e njohur në Egjipt përmes televizionit dhe rrjeteve sociale.


Ajo ka themeluar kompaninë e prodhimit “Sarah Production”, ka organizuar evente dhe koncerte në Egjipt dhe vendet e Gjirit, ndërsa ka promovuar gjithashtu një qendër bukurie online në zonën Agouza të Kajros./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page