Operacion antidr*gë/ Sekuestrohen 45 kg k*nabis, municione dhe para të shumta. Arrestohen tre persona
- Korca Boom
- 7 hours ago
- 2 min read
Një operacion i mirëorganizuar i zhvilluar në orët e vona të natës së kaluar ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Aksioni është realizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe është finalizuar me sukses pranë mesnatës.
Si rezultat i ndërhyrjes, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar të paktën 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake, municion, një sasi e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.
Sipas burimeve policore, operacioni është shoqëruar me ndjekjen e automjetit që dyshohej se transportonte lëndën narkotike.
Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i mjetit ka kuptuar se po ndiqej nga forcat e rendit dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në një rrugë të pandriçuar në një lagje periferike.
Pas një reagimi të shpejtë dhe koordinimi mes strukturave të angazhuara, policia ka rrethuar zonën dhe ka bërë të mundur neutralizimin e automjetit, duke vënë në pranga tre personat që ndodheshin brenda tij.
Gjatë operacionit, një punonjës policie ka mbetur i plagosur aksidentalisht si pasojë e thyerjes së një xhami, por pa rrezik për jetën.
Hetimet vijojnë intensivisht, pasi dyshohet se grupi kriminal e ka shtrirë aktivitetin e tij prej kohësh në të paktën tre qarqe të vendit.
Strukturat hetimore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës.
Ky operacion konsiderohet një tjetër goditje e fortë ndaj krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend./ Oranews
“KORÇA BOOM”



















