Paleta me 100 mln euro kokainë, goditet rrjeti shqiptar, incidenti që i nxori zbuluar
Një organizatë kriminale shqiptare është vënë në qendër të hetimeve në Spanjë, pas zbulimit të mbi 10 tonëve kokainë në dy kapanone industriale në qytetin Águilas. Ngarkesa, me vlerë mbi 100 milionë euro, kishte të shënuara në paketim adresat e destinacioneve ku do të shpërndahej droga.
Autoritetet spanjolle kanë goditur një organizatë kriminale shqiptare dhe kanë sekustruar mbi 10 tonë kokainë në qytetin Águilas, në rajonin e Murcias.
Sipas gazetës spanjolle La Verdad, droga ishte magazinuar në dy kapanone industriale në zonën El Labradorcico, të cilat shërbenin si baza për grumbullimin dhe shpërndarjen e kokainës në Spanjë dhe në vende të tjera evropiane.
Operacioni nisi pas një incidenti gjatë shkarkimit të ngarkesës. Një paletë e mbushur me kokainë ra në dyshemenë e kapanonit, duke dëmtuar paketimin dhe shpërndarë disa pako me drogë.
Punëtorët që ndodheshin në ambient u larguan menjëherë, duke braktisur edhe mjetin e punës. Policia Bashkiake mbërriti në vendngjarje pas një njoftimi për një aksident të mundshëm në punë, por nuk gjeti asnjë person në kapanon.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi mbi 5 tonë kokainë në ambientin e parë. Hetimet çuan më pas në identifikimin e një kapanoni të dytë, ku autoritetet gjetën një tjetër sasi të konsiderueshme droge, duke e çuar ngarkesën e përgjithshme në mbi 10 tonë.
Vlera e kokainës në tregun e paligjshëm përllogaritet në mbi 100 milionë euro, duke e renditur sekuestrimin mes operacioneve më të mëdha antidrogë në Spanjë.
Një element i rëndësishëm për hetimet janë adresat e shënuara në kutitë ku ishte paketuar kokaina. Sipas të dhënave të publikuara, këto adresa tregonin destinacionet ku duhej të dërgohej droga.
Hetuesit e Njësisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Trafikut të Drogës po analizojnë shënimet për të identifikuar marrësit e ngarkesave, rrugët e shpërndarjes dhe personat që organizonin transportin.
Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë rolin e organizatës shqiptare në magazinimin dhe shpërndarjen e kokainës, si dhe lidhjet e saj me rrjetet e trafikut në vende të tjera të Evropës.
Deri tani, informacionet e publikuara nuk japin emra të personave nën hetim apo të dhëna për arrestime të mundshme në kuadër të operacionit.
“KORÇA BOOM”
















