Policia me detaje të reja: Identifikohen shoferi që përplasi këmbësorin dhe viktima
- 57 minutes ago
- 1 min read
Policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit të përfshirë në aksidentin tragjik që i mori jetën një 62-vjeçari në aksin rrugor Korçë–Bilisht.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë Florenc Pajo, 47 vjeç, banues në fshatin Sul të Devollit, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:45 pranë kryqëzimit të fshatit Tren, ku automjeti i drejtuar nga 47-vjeçari përplasi këmbësorin Lavdim Shtira, rreth 62 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, viktima sapo kishte zbritur nga një automjet tjetër në momentin kur u godit nga makina.
Si pasojë e përplasjes, 62-vjeçari pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Korçës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.
“KORÇA BOOM”
















