Prekëse/ “Do të mbetesh në zemrat tona”, humb jetën futbollisti 13-vjeçar
- 10 hours ago
- 1 min read
Futbolli shqiptar dhe ai në Maqedoninë e Veriut është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Agan Asanit, futbollistit 13-vjeçar nga fshati Çerkez i Kumanovës.
Lajmi i hidhur u bë publik nga trajneri i tij, Ismet Zeqiri, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen për humbjen e talentit të ri të KF Kumanovës.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë 13-vjeçar, Agan Asani. Humbja e tij na ka prekur thellë si klub, duke lënë dhimbje të madhe te bashkëlojtarët, trajnerët dhe gjithë familja e KF Kumanova”, shkroi Zeqiri.
Ai i shprehu ngushëllimet familjes Asani, të afërmve dhe miqve, duke theksuar se kujtimi i Aganit do të mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithëve që e njohën.
13-vjeçari ishte pjesë e KF Kumanovës dhe konsiderohej një talent premtues, i dashur për bashkëlojtarët dhe shumë i vlerësuar nga stafi teknik i klubit.
Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se i mituri humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor. Sipas autoriteteve, Agan Asani u përplas nga një automjet teksa po lëvizte me skuter elektrik.
Policia njoftoi se drejtuesi i automjetit është arrestuar, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Humbja e 13-vjeçarit ka sjellë dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti sportiv në Kumanovë dhe më gjerë.
“KORÇA BOOM”
















