Presidenti Begaj reagon ndaj nismës për shkarkim: Pres profesionalizëm dhe transparencë nga Kuvendi
- Korca Boom
- Oct 15, 2025
- 1 min read
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare pas nismës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e tij nga detyra.
Në deklaratë, Presidenca thekson se Presidenti nuk komenton nisma politike nga asnjë palë, duke nënvizuar se neutraliteti është thelbësor për funksionin e tij kushtetues. Sipas tij, ai do të vazhdojë të ushtrojë mandatin presidencial i pa ndikuar nga sulme politike apo nga, siç u cilësua, “fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik”.
“Procedura për shkarkimin e Presidentit është një instrument kushtetues i Parlamentit, i cili ka të drejtë ta ushtrojë kur e gjykon të përligjur”, thuhet në deklaratë.
Presidenti Begaj shton se ndjehet i obliguar t’i përgjigjet Kuvendit me “seriozitet dhe ndershmëri”, ndërsa thekson se pretendimet e ngritura nga Partia Demokratike “nuk korrespondojnë me të vërtetën”.
Ai shpreh gjithashtu pritshmërinë që Kuvendi të hetojë çështjen me “profesionalizëm dhe transparencë”, jo si detyrim ndaj postit të Presidentit, por në funksion të të vërtetës dhe interesit publik.
“KORÇA BOOM”



















