Përfundon numërimi në 4 bashki, kandidatët e Ramës fitojnë me mijëra vota diferencë; Dështojnë të ‘pavarurit’
- Korca Boom
- 21 hours ago
- 2 min read
Kandidatët socialistë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit që u mbajtën në 5 bashki të vendit kanë fituar përballjet me diferenca të mëdha votash.
Me përjashtim të Matit, ku po numërohen 5 kutitë e fundit, ndërsa garën e kryeson kandidati socialist Altin Bojni me rreth 5 mijë vota më shumë se i pavaruri Eduard Brahilika që mbështetej nga opozita, në 4 bashkitë e tjera: Vlorë, Berat, Cërrik dhe Tepelenë ka përfunduar procesi i numërimit të votave.
Në Vlorë, Brunilda Mersini u shpall fituese me 78.4 % të votave. Brunilda Mersini ka marrë 15672 vota (78.4%). Dionis Sota i mbështetur nga opozita numëron 2333 vota (11.7%) dhe Gjergj Nika, një tjetër kandidat i pavarur, ka marrë 1975 vota (9.9%).
Në Cërrik, kandidati socialist Florenc Doka është shpallur fitues me 66.22 % të votave. Ai ka marrë 6201 vota, ndërsa dy kandidatët e tjerë në garë Amarlido Hoxha dhe Eligert Hima, kanë marrë përkatësisht 1888 dhe 1275 vota.
Në Berat, kandidati socialist Ervin Ceca shpallet fitues me 83.35 % të votave. Ai ka marrë 13050 vota, kundrejt 2607 votave të fituara nga i pavaruri Pavlo Shkarpa, që mbështetej nga opozita.
Në Tepelenë, Gramoz Sako i Partisë Socialiste shpellet fitues me 77.85 % të votave. Ai ka fituar 3261 vota, kundrejt 928 votave që ka marrë i pavaruri Gabriel Guma që mbështetej nga opozita e kryesuar nga PD.
Ajo që bie në sy nga procesi i 9 nëntorit është një bojkotim masiv që qytetarët i kanë bërë procesit. Duket se as kandidatët e pavarur nuk kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve për të shkuar në kutitë e votimit, ndërsa e gjithë gara për 5 kryebashkiakët u kthye në një formalitet me një rezultat i paracaktuar.
Në dallim nga zgjedhjet e zakonshme, në këtë proces nuk pati asnjë interesim edhe nga vetë subjektet politike që nuk organizuan takime, duke ia lënë gjithçka në dorë kandidatëve apo strukturave lokale./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”



















