Përleshje e dh*nshme! Dy të rinj përfundojnë në spital pas konfliktit masiv
- 5 hours ago
- 1 min read
Një konflikt i dhunshëm mes një grupi të rinjsh ka përfunduar me dy persona të plagosur rëndë në qytetin e Vlorës.
Ngjarja është regjistruar në lagjen “Lef Sallata”, në zonën pas bulevardit “Ismail Qemali”, ku rreth 10 persona dyshohet se janë përfshirë në një përplasje fizike, e cila ka nisur fillimisht nga një debat për motive të dobëta.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë konfliktit janë përdorur sende të forta, përfshirë edhe copa tullash, duke shkaktuar dëmtime të rënda te disa prej të përfshirëve.
Të plagosur kanë mbetur Soni Latifaj, 24 vjeç, dhe Sendi Latifaj, 18 vjeç, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Sipas të dhënave mjekësore paraprake, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime në zonën parietale të kokës, ndërsa 18-vjeçari është diagnostikuar me kontuzion në kokë. Të dy janë shtruar në repartin e kirurgjisë dhe po marrin trajtim të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. Po ashtu, po administrohen pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit e përfshirë.
“KORÇA BOOM”
















