Qentë endacakë k*afshojnë qytetarët, pesë në spital
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Bashkinë Klos, ku pesë persona kanë përfunduar në spital pasi janë kafshuar nga qen endacakë. Sipas burimeve nga spitali i Klosit, të lënduarit kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Banorët e zonës shprehen se kjo nuk është një situatë e izoluar, por një problem i përsëritur, pasi sulmet nga qentë endacakë janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit. Ata theksojnë se mungesa e masave konkrete për menaxhimin e këtyre kafshëve ka krijuar pasiguri dhe frikë në komunitet.
Sipas burimeve lokale, dyshohet se qentë endacakë sillen nga Bashkia e Bulqizës dhe lëshohen në territorin e Bashkisë Klos, duke rritur ndjeshëm rrezikun për qytetarët. Situata konsiderohet veçanërisht alarmante për fëmijët e shkollave dhe për të moshuarit, të cilët janë më të ekspozuar ndaj sulmeve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke apeluar për masa të menjëhershme dhe zgjidhje afatgjata për menaxhimin e qenve endacakë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe qetësisë për komunitetin.
"KORCA BOOM"



















