Qeveria njoftoi reformën e pensioneve, 75 mijë pensionistë nuk përfitojnë kompensim këtë vit
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Shumë pensionistë janë surprizuar këtë janar, teksa pensioni i tyre nuk kishte pësuar ndryshim, edhe pse qeveria njoftoi se 2026 është viti i reformës së pensioneve.
Institucionet publike kanë artikuluar vetëm masën e rritjes për kategoritë përkatëse, por vendimi i zbardhur i qeverisë parashikon kufizim dhe përjashtime.
“E-Zonë” ka mësuar se si pasojë e këtyre kufizimeve dhe tavanëve të vendosur, rreth 75 mijë pensionistë nuk përfitojë asnjë lekë nga kompensimi.
Teuta Nunaj, eksperte e ekonomisë, gjatë një interviste për “Vizion Plus” sqaroi se edhe ata që përfitojnë, nëse janë pranë tavanëve të përcaktuar, do të marrin një shumë minimaliste.
“Për pensionin e pleqërisë të plotë urban, tavani ka qenë 40 mijë lekë. Kjo do të thotë se nëse masa e pensionit kalon këtë kufi, pensionisti nuk përfiton. Por edhe nëse masa e pensionit të plotë urban është 39 mije lekë, masa e kompensimit është vetëm 1000 lekë, pra nuk përfitohet i plotë 1800 lekë sikundër parashikon vendimi. E njëjta metodologji është zbatuar edhe për pensionet urbane të pjesshme, ku tavani ishte 22 mijë lekë i përcaktuar, për pensionet rurale dhe familjare tavani ka qenë 18 mijë lekë, ndërsa për personat e invaliditetit tavani ka qenë 30 mijë lekë. Kush e ka pensionin në këto kufij masa e rritjes do të jetë minimale dhe s’duhet t’i kalojë këto tavane”, tha Nunaj.
Sipas ekspertes kjo skemë krijon një pabarazi, pasi krijon dy grupe, ata që përfitojnë dhe ata që përjashtohen.
“Me këtë skemë që po aplikohet, unë nuk do ta quaja rritje të pensionit, madje as një bonus të ndarë në 12 muaj. Kjo skemë quhet kompensim. Pra nuk rrit masën e pensionit, por rrit shtesat. Kjo do të thotë që këto shtesa nuk do të jenë pjesë e përllogaritjes së indeksimit”, tha Nunaj.
Nëse reforma e pensionit të vijojë me të njëjtën metodologji edhe në vitet pasuese, sërish mijëra prej pensionistëve do të mbeten të përjashtuar./SOT
“KORÇA BOOM”



















