Qeveria në pushim, por jo politika: Emra të rinj në bashkinë e Tiranës dhe lëvizje në horizont
- Korca Boom
- Jul 31, 2025
- 2 min read
Ndërsa kabineti qeveritar ka marrë zyrtarisht pushimet, pas një mbledhjeje të fundit që në dukje u paraqit si e zakonshme pune, kryeministri Edi Rama ka njoftuar ministrat se takimi i radhës do të mbahet në fund të gushtit. Deri atëherë, secili prej tyre ka të drejtë të nisë pushimet verore.
Sidoqoftë, fundi i gushtit pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme, pasi në këtë periudhë do të zbulohen edhe emrat e ministrave që do të vazhdojnë me një mandat të ri. Rama ka kërkuar efikasitet dhe prani aktive në terren, sidomos për aksionin e lirimit të hapësirave publike dhe reformën për zhvillimin e territorit. Vetëm pas këtij "testi veror" do të vendoset se kush e ka bindur për të vijuar në detyrë.
Paralelisht me pushimin e qeverisë, nuk mungojnë lëvizjet në Partinë Socialiste dhe Bashkinë e Tiranës. Katër nënkryetarë të rinj janë caktuar në bashkinë më të madhe të vendit, pas largimit të atyre të mëparshmëve. Emrat e rinj janë miratuar nga një grup pune i përbërë nga ministrat Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj, dhe do të prezantohen zyrtarisht nga kryeministri Rama.
Katër nënkryetarët e rinj të Bashkisë së Tiranës janë:
Ilir Mëngra – një emër me përvojë të gjatë në administratën publike dhe transportin rrugor, do të mbikëqyrë sektorin e punëve publike. Ai ka drejtuar më parë Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit dhe aktualisht ishte Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR.
Vasilika Vjero – ish-zv.ministre e Financave, më parë drejtoreshë e Tatimeve dhe e ARRSH. Ajo do të marrë drejtimin e sektorit të financave dhe zhvillimit ekonomik në Bashki.
Blendi Sulaj – një figurë e re në PS, më parë pjesë e Partisë Republikane dhe FRPD. Së fundmi kandidoi për deputet nën siglën socialiste. Do të mbulojë çështjet e territorit dhe zhvillimit rural.
Gentian Keri – ish-drejtues i Prokurimeve Publike për katër vite. Ai do të jetë përgjegjës për organizimin e administratës në Bashkinë e Tiranës.
Ndërkohë, Rama ka paralajmëruar edhe ndryshime në strukturën e partisë në vjeshtë, duke lënë të kuptohet se sezoni i ri politik nuk do të jetë aspak i qetë për socialistët.
Burime të ndryshme mediatike sugjerojnë se kryeministri po e mbikëqyr drejtpërdrejt funksionimin e Bashkisë së Tiranës, sidomos pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj më 10 shkurt. Këto emërime të reja shihen si një përpjekje për të rikthyer kontrollin dhe funksionimin e plotë të këtij institucioni.
“KORÇA BOOM”



















