Rrufeja godet tufën me bagëti, ngordhin 15 krerë, shpëton mrekullisht bariu
- 1 day ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Shebenikut, ku moti i keq dhe stuhitë e forta kanë sjellë pasoja të rënda për banorët e zonës.
Sipas informacioneve të siguruara nga banorë dhe barinj lokalë, gjatë stuhisë së fuqishme janë regjistruar dhjetëra goditje rrufesh në territorin e Parkut Kombëtar të Shebenikut, si dhe në zonat e Malësisë së Sopotit, Polisit, Xhyrës, Dardhës dhe Spatharit. Situata ka krijuar momente paniku dhe frike te banorët, veçanërisht për ata që ndodheshin në kullota apo në zona të hapura gjatë reshjeve intensive dhe shkarkesave elektrike.
Ngjarja më e rëndë është shënuar në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”, ku një tufë me dhi është goditur nga rrufeja.
Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, 15 bagëti kanë ngordhur menjëherë në vend. Ky incident i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik familjes së bariut Shaban Kurti, i cili mbështetet te blegtoria si burim jetese.
Fatmirësisht, vetë bariu i moshuar ka arritur të shpëtojë për mrekulli, pavarësisht se ndodhej pranë tufës në momentin e goditjes nga rrufeja. Ngjarja mund të kishte marrë përmasa edhe më tragjike.
Gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e bagëtive të ngordhura, me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe mbrojtjen e mjedisit nga ndotja e mundshme.
Autoritetet lokale, së bashku me shërbimet veterinare, janë angazhuar për ndjekjen e situatës në terren dhe për vlerësimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike, të cilat gjatë ditëve të fundit kanë prekur disa zona të vendit.
"KORÇA BOOM"
















