Rrënjët e Kolonjës/ Florenc Prodani, gjurmë të thella dhe rrënjë të forta në skenën kolonjare
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 2 min read
Rrënjët e Kolonjës - Florenc Prodani
Florenc Prodani lindi më 11 prill 1974, në gjirin e një familjeje të madhe kolonjare, një ndër familjet që kanë lënë vulën e tyre në themelet e qytetit të Ersekës. I njohur për të gjithë Kolonjarët si Lenci, ai që herët ndau pasionet e tij mes futbollit dhe artit. Edhe pse i talentuar në sport, ai zgjodhi rrugën e dytë atë të skenës një zgjedhje që, me sa duket, ishte e shkruar në gjak, pasi i ngjau xhaxhait të tij, aktorit brilant të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Aleko Prodani.
Hapat e parë në teatër i hodhi që në shkollë të mesme, nën regjinë e mjeshtrit Paskal Prifti.
Më pas, në vitet 1998, u bë pjesë aktive e grupeve artistike të kulturës në Ersekë, në një periudhë kur, me shumë pasion dhe përkushtim, arti kolonjar po ringrihej. Që prej asaj kohe e deri më sot, Florenc Prodani nuk është shkëputur kurrë nga skena.
Së bashku me artistë si Anastas Rrushi (Caci), Luftëtar Mullajmeri, Koço Qirici, si dhe me shumë aktorë e krijues të tjerë, Lenci ka gdhendur personazhe të veçanta e të papërsëritshme, të cilat kanë mbetur thellë në memorien e publikut kolonjar, si në skenën e madhe të teatrit “Fan Noli”, ashtu edhe në skenën më intime të teatrit të kukullave.
Qoftë në parodi, qoftë në personazhe humori plot “kripë” e finesë, Florenc Prodani ka lënë gjurmë të thella dhe rrënjë të forta në skenën kolonjare. Karriera e tij është shtrirë edhe përtej Kolonjës, në teatrot e Korçës dhe të Tiranës, përfshirë Teatrin Kombëtar, me shfaqjen “Karnavalet e Korçës”, nën regjinë e Erion Isait. Ai ka qenë pjesë gjithashtu e varietesë “Se ke djemtë në Amerikë”, si edhe e skeçeve filmike për shfaqjet e fundvitit në RTSH Korça, me regji të Guri Koços.
Florenc Prodani ka dhënë kontribut edhe në kinematografi, duke interpretuar në filmin “Majonezë” të regjisores italiane Giulia Grandinetti.
Mbi të gjitha, Florenc Prodani mbetet një njeri zemërmirë dhe i respektuar. Sot, ai vijon të japë kontributin e tij pranë Qendrës së Kulturës dhe Artit të Bashkisë Kolonjë, si regjisor dhe aktor, por mbi të gjitha si një aset artistik dhe qytetar i pakrahasueshëm.
“KORÇA BOOM”



















