“Shkova të sqarohem për pronën në Palasë, por…”/ Luan Muça tregon çfarë ndodhi te “Regina Palm”
- 1 hour ago
- 2 min read
Biznesmeni Luan Muça ka reaguar publikisht për përplasjen e ndodhur në zonën e Palasës, ku është përfshirë edhe biznesmeni Vasil Bedinaj. Muça ka treguar versionin e tij për ngjarjen, duke mohuar pretendimet se kishte shkuar për t’i vendosur gjobë Bedinajt.
Sipas Muçës, prej vitit 2019 ai ka investuar në zonën e Palasës, ku ka blerë rreth 97 mijë metra katrorë tokë nga pronarë vendas. Ai thotë se në vitin 2021 ka marrë statusin e investitorit strategjik, ndërsa më pas ka nisur procedurat dhe punimet për ndërtimin e një hoteli me brand ndërkombëtar.
Muça pretendon se gjatë vitit 2024 ka konstatuar se mbi një pjesë të tokës që ai thotë se ka blerë ishte dhënë një leje tjetër ndërtimi dhe se në rrjetet sociale po reklamoheshin apartamente dhe vila për shitje.
Pas kësaj, sipas tij, ai iu drejtua institucioneve përkatëse për të kërkuar verifikimin e dokumentacionit. Muça thotë se më pas është kontaktuar nga Vasil Bedinaj, me të cilin është rënë dakord për një takim në Orikum për të diskutuar pretendimet mbi pronën.
Sipas versionit të Muçës, ai shkoi në takim i shoqëruar nga familjarë, ndërsa situata u tensionua sapo nisën diskutimet. Biznesmeni pretendon se Bedinaj thirri persona të armatosur dhe se, teksa ai po largohej nga ambientet, ndaj grupit të tij u qëllua me armë.
“Duke dalë nga ambientet e z. Bedinaj, njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh”, shprehet Muça, duke kërkuar nga Policia e Shtetit zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave që, sipas tij, kanë qëlluar.
Biznesmeni ka mohuar gjithashtu akuzat për gjobëvënie, duke pretenduar se ndaj tij janë shpërndarë informacione të rreme dhe se pamjet e ngjarjes janë publikuar në mënyrë të njëanshme.
Muça thotë se është mbajtur i ndaluar për 72 orë nën akuzën e gjobëvënies ndaj Bedinajt, ndërsa e konsideron këtë akuzë të sajuar.
Në reagimin e tij, biznesmeni ka folur edhe për aktivitetin e kompanive që drejton, duke deklaruar se ato operojnë në disa vende të botës dhe kanë një qarkullim vjetor multimilionësh.
Në përfundim, Luan Muça është shprehur i gatshëm t’u vendosë në dispozicion mediave dhe opinionit publik dokumentet që, sipas tij, mbështesin pretendimet e bëra në reagimin e tij.
“KORÇA BOOM”
















