Shkuan për kafe dhe përfunduan në përleshje, çfarë ndodhi në burg
- Aug 9
- 2 min read
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me përleshjen e ndodhur në burgun e Fierit, ku dy të dënuar mbetën të plagosur. Pas incidentit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë vendimin për transferimin e dy prej personave të përfshirë në ngjarje.
Sipas burimeve, Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj, pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin e Fierit, është dërguar në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Në burgun e Fierit ka mbetur Denis Brajovic, i njohur edhe si Bajri.
Në fokus të hetimeve vijon të jetë përleshja mes tre të dënuarve, e cila përfundoi me plagosjen e Denis Brajovic dhe Jurgen Zotajt. Policia e Fierit dhe Prokuroria po punojnë për të zbardhur shkaqet e konfliktit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë për ngjarjen.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me punonjësit e policisë së burgjeve që ndodheshin në detyrë në momentin e incidentit. Gjashtë efektivë janë marrë në pyetje, ndërsa sipas burimeve, katër prej tyre pritet të pezullohen gjatë javës së ardhshme, pasi dyshohet se kanë neglizhuar rregullat e sigurisë.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë nxjerrë në pah edhe lëvizjet e tre të dënuarve para përleshjes. Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini shfaqen duke kaluar nga njëri sektor drejt atij ku ndodhej Brajovic, pasi këtij të fundit i ishte komunikuar nëse i priste apo jo për kafe.
Në vijim, tre të dënuarit takohen, përqafohen dhe më pas zhvendosen në një ambient tjetër të burgut, ku nuk ka kamera sigurie. Pikërisht pas këtij momenti dyshohet se ka ndodhur përleshja që përfundoi me plagosjen e dy të dënuarve.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi atë që ka ndodhur në ambientin pa kamera, si dhe mbi mënyrën se si tre të dënuarit kanë mundur të lëvizin nga një sektor në tjetrin.
“KORÇA BOOM”
















