top of page

Shqipëria, me më shumë autobusë për frymë se BE-ja, por me flotë të vjetruar

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 17 hours ago
  • 2 min read

Shqipëria renditet mes vendeve me numrin më të lartë të autobusëve për frymë në Europë, por kjo nuk është shenjë e një transporti publik të zhvilluar.


Raporti i autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas arrin 3.8 mjete për 1 000 banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 1.6. Ky nivel i lartë lidhet kryesisht me mungesën e alternativave të tjera të transportit publik, pasi vendi nuk ka një rrjet funksional hekurudhor për pasagjerë dhe lëvizja ndërqytetase mbështetet pothuajse tërësisht te autobusi.


Megjithatë, kjo varësi e lartë nga transporti rrugor nuk përkthehet domosdoshmërisht në cilësi më të mirë shërbimi, pasi një pjesë e konsiderueshme e flotës është e vjetëruar dhe me standarde të ulëta mjedisore. Kur vjen puna te rinovimi i flotës, Shqipëria mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian, duke e bërë modernizimin e autobusëve një nevojë të domosdoshme.


Sipas Eurostat nga 8 886 autobusë urbanë, autobusë ndërqytetas dhe elektrikë gjithsej në vitin 2024, vetëm 432 janë mjete të reja, që përfaqësojnë rreth 4.9% të flotës, nën mesataren e BE-së prej 5.1%.


Bashkimi Europian


Në vitin 2024, në Bashkimin Europian kishte 737 142 autobusë urbanë dhe autobusë ndërqytetas (përfshirë autobusët elektrikë, minibusë dhe autobusë të vegjël), ose 1.6 mjete për 1 000 banorë. Kjo shkallë motorizimi ka mbetur e qëndrueshme gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa numri i automjeteve për pasagjerë për 1 000 banorë është rritur ndjeshëm në të njëjtën periudhë, nga 506 në vitin 2014 në 578 në vitin 2024.


Numri më i lartë i autobusëve urbanë dhe ndërqytetas për 1 000 banorë u regjistrua në Maltë (4.6), e ndjekur nga Luksemburgu (4.0) dhe Estonia (3.7). Normat më të ulëta u shënuan në Holandë (0.5), Gjermani (1.0) dhe Austri (1.2).


Mesatarisht, 5.1% e flotës së autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas në BE u rinovua në vitin 2024. Norma e rinovimit përfaqëson raportin e mjeteve të regjistruara për herë të parë ndaj totalit të flotës, duke përjashtuar automjetet e përdorura.


Në Luksemburg, u rinovua 11.6% e flotës, 9.6% në Holandë dhe 9.5% në Austri. Në të kundërt, vetëm 0.7% e flotës u rinovua në Bullgari, 2.4% në Poloni dhe 2.5% në Hungari.


Përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së ajrit, veçanërisht në zonat urbane, kanë rritur peshën e autobusëve urbanë dhe autobusëve ndërqytetas me emetime zero në regjistrimet e reja. Në nivel të Bashkimit Europian, në vitin 2024, kjo peshë ishte më e lartë se ajo e automjeteve të reja për pasagjerë (17.8% kundrejt 13.5%), duke përfaqësuar 6 746 autobusë me emetime zero të regjistruar për herë të parë./ Monitor

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page