Shuhet një nga ‘penelat’ më të mëdha të artit shqiptar
- 7 days ago
- 1 min read
Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare piktori i njohur shqiptar Skënder Kamberi, një nga figurat më të spikatura të artit pamor në vend.
Me një karrierë të gjatë dhe të përkushtuar ndaj pikturës, Kamberi u konsiderua si një nga “penelat” më të rëndësishme të artit shqiptar që prej fillimit të viteve ’60. Krijimtaria e tij u dallua për kompozimet e fuqishme dhe temat me karakter historik e shoqëror.
Një pjesë e veprave të tij ruhen sot në fondin e Galeria Kombëtare e Arteve, ndërsa shumë të tjera janë në koleksione private brenda dhe jashtë vendit. Arti i tij ka kapërcyer kufijtë, duke u prezantuar në ekspozita ndërkombëtare në vende si Egjipti, Franca, Anglia, Turqia, Italia dhe Greqia.
Ndër veprat më të njohura të tij përmenden tablotë kompozicionale “Ndihma e shokut” (1966), “Betimi i Vrana Kontit” (1968), “Buka e duarve tona” (1976), “Në Belvedere në Vjenë sikur pashë Skënderbenë” (1977), si dhe “Otranto, 1997”. Po ashtu, ai ka realizuar edhe portrete të spikatura, si ai i luftëtarit Sali Vranishti (1971) dhe i poetes Maro Pasho (1973).
I lindur në Vlorë më 2 shkurt 1939, Kamberi përfundoi Liceun Artistik në vitin 1960 dhe më pas Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1965. Pas studimeve, ai u rikthye në vendlindje, ku së bashku me piktorin Nestor Jonuzi dha një kontribut të çmuar në zhvillimin dhe përhapjen e artit pamor në qytet.
Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në artin shqiptar, ndërsa veprat dhe trashëgimia e tij do të vijojnë të jetojnë si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare.
“KORÇA BOOM”
















