top of page

Skandal arkeologjik në Korçë, tre të rinj kapen duke shkatërruar varret ilire

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 1 min read

Policia ka kapur në flagrancë tre të rinj, të cilët po kryenin gërmime të paligjshme në Varret Monumentale Ilire të Selcës së Poshtme në Mokër. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja u bë e mundur falë reagimit të banorëve të zonës, të cilët njoftuan autoritetet se disa persona po përdornin detonatorë metalesh për të gërmuar në pjesën anësore të territorit arkeologjik.


Të rinjtë, të cilët janë nga zona e Korçës, ndodhen nën hetim dhe po i nënshtrohen veprimeve proceduriale në terren. Më pas, ata do të shoqërohen në komisariat për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Njëri nga katër të rinjtë që u raportua nga banorët ka arritur të largohet me motor, ndërsa policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tij.


Ky është rasti i parë që kapet në flagrancë një grup që gërmon për të gjetur metale apo objekte arkeologjike me vlerë në varret ilire të Selcës së Poshtme. Autoritetet raportojnë se gjatë 2-3 muajve të fundit janë konstatuar edhe tre raste të tjera të gërmimeve të paligjshme, por pa mundur të identifikohen autorët.


Ngjarja nxjerr në pah rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe vigjilencës së komunitetit në mbrojtje të saj. Policia dhe institucionet arkeologjike nënvizojnë se çdo veprim i tillë është i ndaluar dhe do të ndiqet me rigorozitet ligjor.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page