Skandal me fondet e ndihmës ekonomike, 6 zyrtarë nën hetim
- 2 hours ago
- 2 min read
Gjashtë funksionarë të shtetit janë vënë nën masa sigurimi me kërkesë të Prokuroria e Elbasanit, pasi dyshohen për përfshirje në një skemë abuzimi me fondet shtetërore të ndihmës ekonomike, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 12.5 milionë lekësh.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” ndaj gjashtë personave, të cilët mbanin funksione si administrator shoqëror, postier, drejtor drejtorie në bashki dhe specialistë të administratës.
Ata akuzohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Hyrjes së paautorizuar kompjuterike”.
Hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari në prill të vitit 2025, i cili ngriti dyshime për abuzime me skemën e ndihmës ekonomike në lidhje me familjarët e tij. Pas hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u zbulua një skemë e mirëorganizuar abuzimi në një njësi administrative të qarkut Elbasan.
Sipas organit të akuzës, gjatë periudhës tetor 2024 – korrik 2025, në skemën e ndihmës ekonomike janë përfshirë në mënyrë të paligjshme familje që nuk plotësonin kriteret për të përfituar mbështetje financiare nga shteti.
Hetimet tregojnë se numri i përfituesve ishte rritur artificialisht, ndërsa fondet janë përvetësuar në mënyrë të kundraligjshme nga personat e përfshirë në skemë.
Prokuroria bën me dije se pas nisjes së procedimit penal, numri i familjeve përfituese në këtë njësi administrative ka rënë ndjeshëm, nga 320 në vetëm 110 familje, një fakt që sipas hetuesve konfirmon përmasat e mëdha të abuzimit.
“KORÇA BOOM”
















