Skenari i papritur që mund të rikthejë në lojë dy ekipe që u menduan të eliminuara
- May 9
- 2 min read
Edhe pse sezoni duket drejt fundit, drama në futbollin shqiptar mund të mos ketë mbaruar ende. Situata e krijuar mes Bylis dhe Bylis B mund të sjellë një tjetër zhvillim të papritur në Kategorinë e Parë dhe të Dytë.
Aktualisht, Bylis B ka siguruar sportivisht ngjitjen në Kategorinë e Parë pas triumfit në play-out, por gjithçka lidhet tashmë me fatin e ekipit të parë të Bylisit. Nëse skuadra A bie nga Superliga në Kategorinë e Parë, atëherë sipas rregullores dy ekipe të të njëjtit klub nuk mund të luajnë në të njëjtën kategori.
Kjo situatë hap menjëherë një dritare shprese për FK Kukësi dhe KS Butrinti, dy skuadra që janë eliminuar pikërisht nga Bylis B gjatë garës për mbijetesë dhe ngjitje.
Gjithçka mbështetet edhe te rregullorja e Federata Shqiptare e Futbollit, konkretisht te neni 80, i cili parashikon mënyrën e plotësimit të vakancave apo situatave të krijuara në kategori.
Më konkretisht, pika 2 e këtij neni parashikon që në rast se krijohen vende vakante në një kategori, prioritet u jepet skuadrave që kanë humbur ndeshjet play-off/play-out ose ekipeve që kanë renditjen më të mirë sportive sipas formulës së garës.
Ndërkohë, pika 3 përcakton se Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka të drejtë të vendosë zhvillimin e ndeshjeve shtesë mes skuadrave të interesuara për të përcaktuar ekipin që do të plotësojë vendin vakant.
Po ashtu, pika 5 i jep të drejtë Komitetit Ekzekutiv të ndërhyjë me vendime shtesë dhe të organizojë takime apo formula të tjera sportive në raste të veçanta që nuk mbulohen plotësisht nga skema standarde e garës.
Pikërisht këto pika të rregullores po interpretohen si baza ligjore që mund të çojnë drejt një ndeshjeje shtesë mes Kukësit dhe Butrintit, nëse krijohet vakancë nga situata e Bylisit dhe Bylis B.
Kjo do të thotë se edhe pse në fushë gjithçka u duk e mbyllur, matematika dhe rregullorja mund të rikthejnë në garë dy skuadra që e mendonin sezonin të përfunduar. Tashmë gjithçka mbetet e lidhur me fatin e Bylisit A në javën e fundit të kampionatit, ndërsa futbolli shqiptar mund të rezervojë edhe një tjetër finale dramatike.
“KORÇA BOOM”
















