SPAK godet dy rrjete kriminale, një për vrasje të organizuar dhe tjetri për falsifikime
- Korca Boom
- Oct 2, 2025
- 1 min read
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zbardhjen e ngjarjes kriminale të ndodhur më 21 janar 2021, ku mbeti i vrarë shtetasi E. B. në qytetin e Durrësit.
Sipas SPAK, vrasja dyshohet se është kryer me paramendim dhe për hakmarrje, në kuadër të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal.
Nga hetimet rezulton se si porositës dhe drejtues i këtij grupi dyshohet shtetasi A. B. (alias A. A.), i cili dyshohet se ka porositur vrasjen në shenjë hakmarrjeje për një tentativë të mëparshme për të vrarë nipin e tij, shtetasin E. A. (alias A. A.).
Gjithashtu, si drejtues dhe koordinator i veprimeve kriminale dyshohet E. A., ndërsa E. K. është identifikuar si ndihmës, dhe E. D. së bashku me A. D. si ekzekutorë të dyshuar të vrasjes.
Hetimet po vijojnë për identifikimin dhe përfshirjen e personave të tjerë të mundshëm në këtë ngjarje.
Ndërkohë, nga provat e mbledhura është konstatuar se shtetasi A. L., në cilësinë e krijuesit dhe organizatorit, ka ngritur një tjetër grup të strukturuar kriminal me qëllim falsifikimin e dokumenteve. Anëtarë të këtij grupi rezultojnë të jenë shtetasit V. M. (alias V. K.), A. B., V. B., si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.
SPAK nënvizon se hetimet janë në vijim për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e të dy grupeve kriminale dhe për të vënë para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë.
“KORÇA BOOM”



















