SPAK godet grupin e strukturuar kriminal të trafikut të heroinës në Danimarkë / Dy të arrestuar në Shqipëri
- 1 hour ago
- 2 min read
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy shtetasve M. L. (alias G.) dhe E. L., të dyshuar për përfshirje në veprimtari të rëndë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sipas kërkesës së paraqitur nga SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme me nr. 28, datë 14.5.2026, për shtetasin M. L. (alias G.) është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ndërsa për shtetasin E. L. janë caktuar masat e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale.
Të dy personat dyshohet për veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit si grup i strukturuar kriminal, si dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes.
Hetimet për këtë çështje janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë mes Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe autoriteteve të drejtësisë së Danimarkës.
Sipas të dhënave hetimore, autoritetet daneze kanë regjistruar në gusht 2023 procedimin penal me nr. 0100-71282-00102-23, të koduar “Operacioni Bacchus”. Në këtë hetim është përfshirë një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të dyshuar për trafik dhe shpërndarje të heroinës në territorin e Mbretërisë së Danimarkës.
Veprimtaria kriminale dyshohet se është zhvilluar nga data 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në të paktën shtatë episode të dokumentuara nga hetuesit. Sipas dosjes hetimore, droga është transportuar drejt Danimarkës përmes territorit të Suedisë, duke shfrytëzuar rrugë të ndryshme të trafikut ndërkombëtar.
Lënda narkotike, sipas hetimeve, përgatitej për shitje në tregun danez duke u përzier me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim rritjen e sasisë dhe maksimizimin e fitimeve të grupit kriminal.
Nga hetimet paralele të kryera nga autoritetet e dy vendeve, deri në këtë fazë është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Danimarkë i tre personave, dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas i huaj, të përfshirë në këtë aktivitet.
Ndërkohë, në Shqipëri janë identifikuar dy shtetas të tjerë shqiptarë, të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal që operonte në mënyrë të organizuar dhe të strukturuar në fushën e trafikut të narkotikëve.
Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal ndaj dy shtetasve në hetim.
Burime hetimore bëjnë me dije se operacioni është ende në zhvillim dhe autoritetet po vijojnë punën për mbledhjen dhe administrimin e provave të reja, me qëllim identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë rrjet kriminal ndërkombëtar.
Hetimet pritet të zgjerohen më tej, ndërsa autoritetet shqiptare dhe daneze po bashkëpunojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e grupit dhe rolin e secilit prej anëtarëve të tij në trafikun e heroinës drejt tregut europian.
"KORÇA BOOM"
















