top of page

Stadiumi “Skënderbeu” në pritje të investitorëve pas përfundimit të afatit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 45 minutes ago
  • 2 min read

Vitin e shkuar, qeveria shqiptare prezantoi me bujë projektin për rindërtimin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, si pjesë e asaj që u quajt “Rilindja e Infrastrukturës Sportive”. Me rendera 3D dhe pjesëmarrjen e studiove të njohura ndërkombëtare, u premtua një transformim rrënjësor i stadiumit dhe i zonës përreth tij, duke e kthyer në një kompleks modern sportiv dhe urban.


Për stadiumin e Korçës, fituese e konkursit ndërkombëtar u shpall studioja daneze CEBRA.


Projekti i tyre u prezantua si një koncept i përshtatur me identitetin e qytetit, duke u frymëzuar nga natyra dimërore dhe arkitektura tradicionale korçare. Parashikohej një stadium i integruar me hapësira të gjelbra, funksione publike dhe ndërtesa të ulëta, të shtrira horizontalisht, në respekt të siluetës urbane të qytetit.


Modeli financiar ishte i njëjtë me atë të ndjekur për stadiumin “Air Albania” në Tiranë: Partneritet Publik-Privat. Shteti do të ofronte tokën dhe lejet zhvillimore, ndërsa investitori privat do të financonte ndërtimin e stadiumit, duke përfituar në këmbim hapësira komerciale dhe zhvillime ndërtimore.


Megjithatë, ndërsa afati zyrtar për paraqitjen e ofertave përfundoi më 30 shtator 2025, realiteti rezultoi zhgënjyes. Për projektin e stadiumit “Skënderbeu” nuk u shfaq asnjë interes serioz nga investitorët privatë, duke e lënë nismën pa financim dhe pa perspektivë të qartë realizimi.


Arsyeja kryesore e mungesës së interesit lidhet me matematikën ekonomike të projektit.


Ndryshe nga Tirana, tregu imobiliar në Korçë nuk garanton një kthim të shpejtë dhe të sigurt të investimit për zhvillime të mëdha komerciale, të cilat janë thelbësore për të mbuluar koston e ndërtimit të një stadiumi modern me standarde ndërkombëtare.


Rreziku financiar për investitorin është i lartë, ndërsa qeveria nuk ofron garanci shtesë apo subvencione direkte për ndërtimin e objektit sportiv. Në këto kushte, stadiumi mbetet një kosto e madhe publike, e cila duhet të justifikohet nga shitja ose shfrytëzimi i hapësirave komerciale, një proces që në Korçë është i ngadaltë dhe i pasigurt.


Sot, projekti i stadiumit “Skënderbeu” vijon të figurojë si “i hapur për aplikime”, por pa asnjë ofertë konkrete. Thirrja për investitorë mbetet formale, ndërsa rreziku që ky projekt të përfundojë si një maket i shtrenjtë, pa u materializuar kurrë në terren, është gjithnjë e më i madh.


Pa një rishikim të kushteve financiare, përfshirë mbështetje direkte nga buxheti i shtetit apo lehtësira fiskale më të forta, ambicia për një stadium të ri në Korçë rrezikon të mbetet vetëm në rendera dhe prezantime, duke e lënë qytetin pa investimin e shumëpritur në infrastrukturën sportive.

"KORCA BOOM"


bottom of page