Studentët e helmuar në spital. AKU po fsheh provat e ushqimit të kontaminuar?
- 3 hours ago
- 2 min read
Thellohet skandali i helmimit masiv të kursantëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk.
Ndërsa dhjetëra studentë përfunduan në spital me simptoma të rënda helmimi, dyshimet tashmë nuk bien vetëm mbi ushqimin e konsumuar, por edhe mbi mënyrën se si po administrohet i gjithë procesi i hetimit institucional.
Televizioni “Ora News” ka publikuar menunë e ushqimit që konsumuan studentët e akademisë, e cila përbëhej nga makarona, pilaf, gjellë me patate, tavë me presh dhe mish.
Burime të sigurta brenda AKU konfirmojnë për Ora News se ky institucion po përpiqet t’i dalë krah subjektit SORI-AL, me administratore shtetasen Alma Tafani, kompania përgjegjëse për furnizimin me ushqim.
Sipas të njëjtave burime, lëvizjet e fundit të inspektorëve kanë ngritur dyshime serioze për tentativa të mundshme për të devijuar hetimin dhe për të shmangur evidentimin e shkakut real të helmimit masiv.
Burime pranë AKU bëjnë me dije se inspektorët nuk kanë marrë mostrat e ushqimit që kanë konsumuar kursantët e Akademisë së Sigurisë, por kanë marrë mostra të produkteve që nuk kanë asnjë lidhje me menunë që dyshohet se shkaktoi helmimin. Konkretisht, janë marrë mostra vezësh, djathi, kosi dhe sallami, produkte që nuk rezultojnë të kenë qenë pjesë e ushqimit të servirur për studentët në ditën e incidentit.
Ky fakt ka ngritur pikëpyetje të forta mbi integritetin e hetimit. Sipas rregullores në fuqi, mostrat e ushqimeve të servirura ruhen për 24 orë pikërisht për raste emergjente si helmimet masive. Në këto kushte lindin dyshime të forta: a nuk i kanë gjetur inspektorët mostrat reale të ushqimit, apo kanë refuzuar t’i marrin ato me urdhër nga lart?
Burime jozyrtare flasin edhe për tension brenda strukturave të AKU-së, ku inspektorë të caktuar dyshohet se janë vënë nën presion për të mos përfshirë në analizë ushqimet që konsumuan kursantët. Nëse këto dyshime provohen, skandali nuk do të kufizohej më vetëm tek helmimi i studentëve, por do të shndërrohej në një çështje të rëndë të manipulimit të provave dhe pengimit të hetimit institucional./ Ora news
"KORÇA BOOM"

















