top of page

Taibe Plloha në gjendje mjerane/ Bashkia Pogradec në kërkim të një shtëpie për nënën që ka mbetur mes katër rrugëve

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 5 hours ago
  • 2 min read

INFORMACION SQARUES

Bashkia Pogradec ka ndjekur me shqetësim situatën e bërë publike në rrjetet sociale lidhur me zonjën 61-vjeçare Taibe Plloha, nga fshati Osnat.


Menjëherë pas marrjes së informacionit, punonjësit tanë, në bashkëpunim me efektivët e komisariatit të Pogradecit, kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për sqarimin dhe trajtimin e situatës së znj. Taibe. Duke qenë se rasti është i ndjeshëm për publikun dhe duke pasur parasysh moshën e zonjës, sqarojmë sa vijon:


Rasti i znj. Taibe është i njohur prej muajsh nga strukturat tona, veçanërisht stafi i Njësisë Administrative Dardhas.


61-vjeçarja jeton në Osnat së bashku me djalin e saj, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas deklarimeve të vetë zonjës, djali herë pas here bëhet agresiv dhe e detyron të largohet nga banesa, duke i kërkuar ushqim apo të holla.


Në disa raste, zonja është larguar nga shtëpia dhe është rikthyer sërish nga punonjësit tanë, por ajo vazhdimisht ka refuzuar kategorikisht të jetojë në banesën e saj në Osnat.


Mbrëmjen e sotme, punonjësit e bashkisë dhe të policisë, për shkak të gjendjes së saj, kanë bërë të mundur që znj. Taibe të shtrohet në Spitalin e Pogradecit, ku po i nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm nga mjekët për të vlerësuar gjendjen e saj shëndetësore.


Paralelisht, inspektorët e policisë do të kontaktojnë me djalin e saj për të sqaruar situatën e përsëritur. Nëse znj. Taibe nuk do të pranojë të rikthehet në banesë, Bashkia Pogradec do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për t’i gjetur një ambient të përshtatshëm për banim, duke e trajtuar me bonus qiraje.


Gjithashtu, apelojmë drejtpërdrejt te familjarët e 61-vjeçares që të tregojnë kujdesin e duhur ndaj saj. Është e pajustifikueshme dhe e pafalshme të lihet një familjare në kushte të tilla, pa strehim qoftë edhe për disa ditë në një kohë kur keni dijeni të plotë mbi të gjithë situatën.


Bashkia Pogradec fton gjithashtu këdo që ka dijeni për një banesë me qira të përshtatshme për znj. Taibe, të kontaktojë me strukturat tona për të vijuar me procedurat përkatëse. Ky apel bëhet me qëllim që strehimi të sigurohet sa më shpejt.


Duke falënderuar këdo që ka asistuar dhe duke shpresuar në mirëkuptimin e komunitetit, përcjellim një apel njerëzor: kujdesuni për të afërmit tuaj, mos i braktisni. Vendoseni veten në situatën e tyre për të kuptuar vështirësinë dhe dhimbjen që përjetojnë kur mbeten pa përkrahje.


Faleminderit!

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page