Tatimet hapin “thesin”/ Qytetarët marrin pagesat e para për fëmijët dhe arsimin
- 1 hour ago
- 2 min read
Administrata Tatimore ka nisur disbursimin e pagesave të para për qytetarët që përfitojnë kompensim nga plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, deri tani janë shpërndarë rreth 52.8 milionë lekë, ose afro 550 mijë euro, për 3,091 individë përfitues, të cilët janë klasifikuar si subjekte pa risk nga administrata tatimore.
Tatimet bëjnë të ditur se kjo skemë kompensimi po aplikohet për herë të parë përmes deklarimit të DIVA 2025 dhe synon të krijojë lehtësi fiskale për qytetarët, duke nxitur deklarimin korrekt të të ardhurave.
Përfitues të kompensimit janë individët që rezultojnë me tatim të mbipaguar pas rillogaritjes së detyrimeve, përfshirë edhe zbritjen e shpenzimeve për fëmijët në ngarkim dhe arsimin.
Sipas skemës:
zbritja për fëmijët në ngarkim është deri në 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë;
ndërsa për arsimin përfitohet deri në 120 mijë lekë për individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit.
Nga shembujt e publikuar rezulton se masa e kompensimit ndryshon sipas nivelit të të ardhurave dhe numrit të fëmijëve në ngarkim.
Për një individ me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit dhe me një fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin llogaritet rreth 62 euro në vit.
Ndërsa për një individ me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit dhe me dy fëmijë nën 18 vjeç, kompensimi pas zbritjes së shpenzimeve arrin rreth 12 mijë lekë.
Sipas shembujve orientues, përfitimi maksimal rezulton për individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit, të cilët përfitojnë si nga zbritja për fëmijët në ngarkim ashtu edhe nga shpenzimet për arsim. Në disa raste, kompensimi arrin deri në rreth 250 euro për familjet me dy fëmijë
“KORÇA BOOM”
















