Projektligji i ri për transportin, çfarë do të ndodhë me sigurimet në Shqipëri
- 1 hour ago
- 1 min read
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur një projektligj të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, me synim përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas draftit, parashikohen ndryshime të rëndësishme në skemën e sigurimeve, por pjesa më e madhe e tyre do të hyjë në fuqi vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Një nga pikat kryesore të projektligjit lidhet me rritjen e ndjeshme të kufijve minimalë të përgjegjësisë që kompanitë e sigurimit duhet të mbulojnë në rast aksidentesh rrugore.
Sipas draftit të ri, kufiri minimal i përgjegjësisë nuk mund të jetë më i ulët se 6.45 milionë euro për çdo aksident, pavarësisht numrit të personave të dëmtuar, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar.
Këto vlera përfaqësojnë një rritje të konsiderueshme krahasuar me kufijtë aktualë në fuqi, ku sot sigurimet mbulojnë 150 milionë lekë për autobusët dhe kamionët, 200 milionë lekë për mjetet që transportojnë lëndë të rrezikshme dhe 55 milionë lekë për automjetet e tjera. Ndërsa për çdo person të dëmtuar, limiti aktual është 22 milionë lekë.
Edhe pse ndryshimet më të mëdha do të zbatohen pas anëtarësimit në BE, nga viti 2027 pritet të nisë një rritje graduale e kufijve aktualë, ndërsa nivelet e ndërmjetme do të përcaktohen pas konsultimeve përfundimtare të projektligjit.
Sipas AMF, kjo reformë synon forcimin e mbrojtjes së qytetarëve në rast aksidentesh dhe harmonizimin e plotë me praktikat europiane në fushën e sigurimeve.
“KORÇA BOOM”
















