top of page

Tendai Ndoro, ish-lojtari i Zimbabwes, gjendet i vdekur në Johannesburg

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 10 hours ago
  • 2 min read

Futbolli afrikan është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-sulmuesit zimbabvian, Tendai Ndoro, në moshën 40-vjeçare. Ai u gjet i vdekur në banesën e tij në Johannesburg, Afrikë e Jugut.


Lajmi u konfirmua nga klubi i tij i mëparshëm, Orlando Pirates, i cili në një deklaratë zyrtare shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë dhe të afërmit e lojtarit. Klubi u shpreh se ishte thellësisht i pikëlluar për humbjen e një prej ish-sulmuesve të tij.


Pas lajmit, tifozët reaguan menjëherë në rrjetet sociale me mesazhe prekëse, duke kujtuar momentet më të bukura nga karriera e Ndoros. Disa prej tyre falënderuan lojtarin për kujtimet, ndërsa të tjerë e përshëndetën me fjalë si “Pusho në paqe, vëlla” dhe “RIP legjendë Ndoro”.


Ndoro përfaqësoi Kombëtaren e Zimbabwes nga viti 2013 deri në 2017, duke zhvilluar 14 ndeshje dhe duke shënuar pesë gola. Njëri prej tyre erdhi në ndeshjen kundër Tunizisë në Kupën e Kombeve të Afrikës në vitin 2017.


Karrierën e tij e nisi në Zimbabve me klubin Chicken Inn. Më pas u transferua në Premier Ligën e Afrikës së Jugut në vitin 2013, ku shkëlqeu me klubet Black Aces dhe më pas Orlando Pirates, me të cilët shënoi 23 gola në dy sezone dhe u rendit si golashënuesi i dytë më i mirë në sezonin 2016/17.


Më vonë, ai pati një eksperiencë në Arabinë Saudite me ekipin Al-Faisaly dhe më pas u rikthye në Afrikën e Jugut, ku luajti me Ajax Cape Town dhe Highlands Park. Karrierën e tij si futbollist e mbylli në vitin 2020 me klubin Al-Orouba në Oman.


Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik, por raportimet e para flasin për probleme shëndetësore që ish-sulmuesi kishte përjetuar së fundmi.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page