Tenderi 4.6 miliardë lekë për hemodializën anulohet/ Zbulohet arsyeja
Tenderi me vlerë rreth 4.6 miliardë lekë për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendra spitalore në vend është anuluar nga autoriteti kontraktor.
Procedura kishte si objekt ofrimin e shërbimit të hemodializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit për një periudhë 48-mujore. Fondi limit i tenderit ishte 4 miliardë e 591 milionë lekë pa TVSH.
Në garë kishte marrë pjesë vetëm një operator, kompania Diaverum AB, e cila ishte shpallur fituese më 10 shtator 2026 me një ofertë prej 4 miliardë e 440 milionë e 664 mijë e 800 lekësh pa TVSH.
Megjithatë, pas shpalljes së fituesit, procedura është anuluar. Sipas të dhënave të publikuara në sistemin Open Data të Agjencisë së Prokurimit Publik, arsyeja e anulimit lidhet me konstatimin e “gabimeve ose mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit”.
Procedura ishte hapur më 17 gusht, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 1 shtator. Në dokumentet e tenderit, autoriteti kontraktor kishte argumentuar shkurtimin e afatit me urgjencën për garantimin e vijimësisë së shërbimit të hemodializës, i cili konsiderohet shërbim shëndetësor esencial dhe jetik.
Argumentimi lidhej edhe me përfundimin e kontratës ekzistuese dhe nevojën për të garantuar vijimësinë e shërbimit gjatë zhvillimit të procedurës së re të prokurimit.
Tenderi kishte tërhequr vëmendje edhe për faktin se në garë ishte paraqitur vetëm një konkurrent. Gjithashtu, procedura ishte shënuar me “RedFlag” në analizën e të dhënave të prokurimit. Ky tregues mund të sinjalizojë rrethana që kërkojnë vëmendje të mëtejshme lidhur me pajtueshmërinë ose procesin e prokurimit, por nuk përbën në vetvete konstatim për shkelje ligjore apo korrupsion.
Anulimi i procedurës vjen në një periudhë kur Ministria e Shëndetësisë drejtohet nga ministrja e re Klodjana Spahiu. Pas anulimit, pritet që autoriteti kontraktor të ndjekë një procedurë të re për garantimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendrat spitalore.
“KORÇA BOOM”
















