Tensione, përplasje dhe spektakël: derbi juglindor në flakë – Analizë nga Redi Dandallaku
- 2 hours ago
- 1 min read
Derbi juglindor, i luajtur pasditen e së shtunës mes Pogradeci dhe Skënderbeu, u mbyll në barazim 1-1.
Korçarët kaluan të parët në avantazh me golin e Nasr, ndërsa barazimi për liqenorët erdhi nga një aksion individual i shkëlqyer i Preknicaj, i inkuadruar në pjesën e dytë dhe menjëherë protagonist.
Stadiumi Gjorgji Kyçyku pa shumë sot. Një grup tifozësh vendas u shfaqën me pankarta “Çela ik” dhe “Zguro, Pere zemra jonë”, si pasojë e përplasjeve të fundit mes trajnerit dhe dy futbollistëve pogradecarë që gëzojnë mbështetje të madhe nga tifozëria. I njëjti grup shpërtheu edhe në kore ofenduese ndaj trajnerit, duke rritur presionin në kampin liqenor, ndërsa palët vijojnë të mbajnë versione të ndryshme mbi situatën.
Në tribunat e stadiumit nuk munguan as episodet e pakëndshme. Mbi 100 tifozë korçarë krijuan atmosferë të zjarrtë, duke dhënë për disa momente përshtypjen se luanin në fushën e tyre dhe duke lënë në hije tifozët vendas. Megjithatë, në pjesën e dytë situata degradoi, pasi nisën ofendimet në kor ndaj Pogradecit. Vendasit reaguan me të njëjtin fjalor, ndërsa kulmi u arrit me hedhjen e bidonave me ujë drejt lojtarëve korçarë.
Në kontrast me tensionin në tribuna, në tribunën VIP mbizotëronte qetësia. Presidentët Lilo dhe Takaj u panë të ulur pranë njëri-tjetrit, në komunikim të vazhdueshëm gjatë ndeshjes.
Sa i përket lojës, barazimi duket të ketë qenë rezultati më i drejtë. Skënderbeu dominoi pjesën e parë, ndërsa në të dytën reagimi i Pogradeci, falë ndryshimeve dhe rritjes së agresivitetit, solli ekuilibrin dhe vulosi një rezultat që pasqyron më së miri atë që u pa në fushë.
“KORÇA BOOM”
















