top of page

Tensionohet situata te Serbia në prag të ndeshjes me Shqipërinë, trajneri i kombëtares: Iki që nesër nëse jam unë problemi

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 days ago
  • 3 min read

Trajneri i përfaqësueses së Serbisë, Dragan Stojkoviç ndryshe i njohur si Piksi, mbajti një konferencë të zjarrtë për shtyp para ndeshjeve kundër Shqipërisë dhe Andorrës.

Serbia do ta nisë garën në grupin K me ndeshjet kundër Shqipërisë në Tiranë më 7 qershor dhe Andorrës në Leskovc më 10 qershor.


Stojkoviç foli për pritshmëritë nga ndeshja ndaj Shqipërisë, e cila është shpallur ndeshje me rrezikshmëri të lartë, por gjithashtu me shumë emocione dhe sqaroi vendimin e tij që të mos grumbullojë më Sergej Milinković-Saviç për sa kohë është trajner i kombëtares.

Tekniku serb pati gjithashtu një reagim të fortë ndaj pyetjeve për numrin e madh të refuzimeve nga lojtarët serb dhe deklaroi se do të jepte dorëheqjen nesër nëse vërtet ai është problemi pse disa lojtarë nuk duan të luajnë për përfaqësuesen.


“Menjëherë jap dorëheqje nëse unë jam problemi”, tha Piksi.

“Te Svilar është çështja, jo tek unë. Mos të presë dikush që të shkoj në Romë – mund të shkoj për ndonjë drekë, për një espresso, për të parë një ndeshje – por të shkoj t’i lutem dikujt, kjo nuk do të ndodhë.




Jo vetëm te Svilar, por te askush. Ju keni bërë një gabim në hapa, është gabimi juaj. Super, gjithë të mirat, secili ka të drejtë të bëjë zgjedhjet e veta. Është në dorën e tij të pranojë nëse dëshiron të luajë apo jo.


Atëherë tha që do të fokusohej te klubi i tij sepse kishte mundësi të bëhej titullar, donte të përqendrohej në këtë. E shfrytëzoi mundësinë dhe unë jam shumë i lumtur për këtë.

Unë jam problemi? Unë menjëherë pas kësaj konference jap dorëheqje, ta kesh të qartë.

Ndoshta jo sot, por nesër, nëse kjo është e vërtetë. Por nuk mendoj se është. Janë lojtarë që e panë që nuk ka vend për ta, dhe pastaj thonë: “Unë po largohem.” Epo, më paske bindur shumë… Ekipi ndryshon, lojtarët thirren sipas meritës.


Mendoni se Lazoviç nga Verona që çdo vit lufton për mbijetesë, është ajo që i duhet Serbisë? Dmitroviç?

Portier i shkëlqyer, por unë vendosa për Petroviçin. Kam gabuar? Se besoj. Dhe ku është problemi? Dmitroviçi i zemëruar? Edhe unë jam i zemëruar që nuk e mundëm Slloveninë.

Përmendët Radonjiçin. Çfarë ka? Nuk e dua? Nuk më pëlqen modeli i flokëve të tij? Ai po shkatërron veten, po shkatërron Zvezdën, përfaqësuesen dhe mbi të vetëshkatërrohet. Kjo është çështja e tij. Dhe doni të më thoni se meriton të jetë në kombëtare? Si të ishim të çmendur.


Po flas hapur… për disa lojtarë nuk dua të përmend emrat, por ajo që japin në fushë s’ka lidhje me realitetin. Çfarë po ofron që të jesh këtu?

Tani ta thërras Radonjiçin, dhe ju më pyesni pse e thirra – çfarë të them? T’iu gënjej duke ju thënë se ai sprinti ndaj Shtutgartit ishte fantastik… Nuk luhet për një sprint.


Gjithçka është me meritë, le të zemërohen sa të duan, kjo është puna e tyre. Dhe gjithmonë do të zemërohen ata që nuk luajnë. Për sa kohë jam këtu, unë do të vendos kush luan.

Detyra e lojtarëve është të tregojnë veten dhe të vërtetojnë se kam pasur të drejtë që i thirra. Përgjegjësia është e madhe dhe lojtarët duhet ta kuptojnë këtë”, u shpreh tekniku serb.


“Qëndrimi im është të bëj punën time sa më mirë, ta përgatis ekipin në mënyrën më të mirë dhe të arrij rezultatin më të mirë. Nuk ndikoj në vendime të tilla dhe as nuk ndërhyj në politikat e FSS-së.

Krahasimi i forcave nëpër korridoret e Terazisë 35 është i panevojshëm kur jam unë në pyetje.


Më intereson Stara Pazova, Tirana, Leskovci dhe ndeshja me Andorrën. Pyetja ku do të luajmë ndaj Anglisë është për FSS-në.

Ata do të japin përgjigjen pse Leskovci dhe jo Beogradi, apo anasjelltas.”, tha Stojkoviç.




“KORÇA BOOM”



bottom of page