Trafik kaotik në aksin Tiranë–Elbasan, radhë kilometrike automjetesh
- 2 days ago
- 1 min read
Mesdita e kësaj të premteje është shoqëruar me një situatë të rënduar trafiku në aksin kombëtar Tiranë–Elbasan, ku prej orës 12:00 e në vijim qarkullimi i automjeteve paraqitet tejet i ngadalësuar.
Problematika kryesore raportohet në segmentin nga Tuneli i Krrabës deri në rrethrrotullimin e Bradashesh, ku janë krijuar radhë të gjata automjetesh dhe bllokime të herëpashershme.
Shkak kryesor i kësaj situate është fluksi i lartë i mjeteve që lëvizin nga kryeqyteti drejt juglindjes së vendit, një fenomen i përsëritur thuajse çdo fundjavë. Gjatë sezonit pranveror dhe veror, kjo tendencë rritet ndjeshëm për shkak të lëvizjes së qytetarëve drejt zonave turistike dhe qyteteve të tjera.
Në veçanti, problematikë e vazhdueshme mbetet zona e njohur si “Hinka e Bradasheshit”, në dalje të autostradës drejt Elbasanit, e cila shpesh kthehet në një nyje të mbingarkuar trafiku. Kjo situatë sjell vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve dhe herë pas here edhe tension në qarkullim.
Autoritetet rrugore apelojnë për kujdes dhe durim nga drejtuesit e automjeteve deri në normalizimin e situatës.
“KORÇA BOOM”
















