Tragjedi në një furrë / 49-vjeçarja humb jetën pasi shalli u ngatërrua në makinën e brumit
- Korca Boom
- 4 minutes ago
- 1 min read
Një aksident i rëndë ka ndodhur të martën në mëngjes në një furrë buke në Larisa të Greqisë, ku një 49-vjeçare humbi jetën gjatë punës. Viktima, Zoi L., nënë e dy fëmijëve të rritur dhe pronare e furrës, po pastronte makinën industriale të përgatitjes së brumit kur shalli që mbante u ngatërrua në cilindrat rrotullues. Forca e makinës e tërhoqi shallin, duke i shkaktuar mbytje të menjëhershme.
Sipas dëshmive, gruaja ishte vetëm në ambientin e punës në momentin e ngjarjes. Kryetari i Shoqatës së Furrtarëve të Larisës deklaroi se prania e dikujt tjetër mund të kishte shmangur tragjedinë, pasi makina funksionon me fuqi të madhe dhe incidenti ndodh brenda pak sekondave.
Trupi i pajetë u gjet nga një klient, i cili hyri në furrë pasi nuk mori përgjigje nga thirrjet. Edhe një fqinje, që çdo ditë blinte bukë aty, tha se ishte alarmuar nga zhurma e pandërprerë e makinës dhe mungesa e reagimit të viktimës.
Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte mbytja nga shtrëngimi i shallit, i cili ishte kapur nga cilindrat e makinës së brumit.
Policia greke vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta të aksidentit dhe nëse janë respektuar protokollet e sigurisë në punë. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ku 49-vjeçarja njihej si një grua punëtore dhe shumë e respektuar.
"KORCA BOOM"



















