Tre vëllezër dhe bashkëpunëtorët e tyre shantazhonin për borxhe të rreme, një në pranga
- Korca Boom
- 8 hours ago
- 1 min read
Operacioni policor i koduar “Pretendimi” është finalizuar me sukses nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë, duke çuar në pranga një person dhe në ndjekje penale pesë të tjerë, të dyshuar për shantazh dhe kanosje ndaj një 29-vjeçari dhe familjarëve të tij.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, autorët kishin kërcënuar viktimën dhe familjen e tij përmes telefonit, duke pretenduar se ata u kishin borxh një shumë të konsiderueshme parash. Pas një hetimi të shpejtë, uniformat blu identifikuan gjashtë personat e përfshirë në rast, tre prej të cilëve janë vëllezër.
Në pranga është vënë Ersi Cekani, 26 vjeç, ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar A. C., 35 vjeç, R. B., 35 vjeç, S. B., 19 vjeç, banues në Librazhd dhe L. F., 32 vjeç, nga Peshkopia.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim një tjetër person, A. C., 28 vjeç, vëllai i të arrestuarit.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe një automjet që dyshohet se është përdorur për lëvizjet e autorëve.
Policia po vijon punën për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për akuzën “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
"KORCA BOOM"



















