top of page

U mposht nga Dinamo me 10 lojtarë/ Trajneri i Skënderbeut, Ahmataj me rezerva për arbitrimin: Mund të kishte penallti për ne, por...

  • 9 hours ago
  • 2 min read

Dinamo ka fituar mbrëmjen e sotme ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 0-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj.


“Ndonjëherë në futboll duhet edhe fati. Provuam shumë, humbëm shumë. Kam edhe pikëpytjet e mia, mendoj që mund të kishim 11-metërsh për ne, por nuk dua të flas për këtë pjesë. Nuk ka rëndësi, është ndeshje e ezauruar, por më vjen keq pasi futbollistët dhanë shumë nga vetja e tyre.


Shpërdoruam shumë dhe kjo na jep besim të plotë për vazhdimësinë, mund të jemi skuadër e mirë dhe konkurruese. Po luanim përballë një skuadre me të njëjtin trajner prej 3 vitesh. Përveç 10 minutëshit të parë që ishte jo i mirë për ne, mendoj se gjithçka pastaj kaloi në favorin tonë.


Dinamo po luante në romb dhe duke bërë këtë, ka superioritet në mesin e fushës. U detyruam që të luanim me 3-5-1-1. Nga minuta e 15-të, loja jonë u stabilizua dhe ky ishte ndryshimi që bëmë në pjesën e tyre. Pati sukses, sepse kishim mundësi të shkonim te goli. Por në pjesën e dytë ndryshuam totalisht sepse çdo gjë shkoi te manovra që kemi bërë gjithë këtë periudhë.


Mungoi pasimi i fundit. Një lojtar me dy ditë të nxjerrë 90 minuta dhe për këtë pjesën e kampionatit do ta vuajë këtë pjesën e ngarkesës. Nasr është një nga lojtarët më cilësor të kampionatit në rolin e tij. Por ajo mungesë stërvitje që ka, mungon në finalizim, s’ka qartësi.


Të gjitha manovrat kanë vend për përmirësim. Duke qenë skuadër e re, jemi vetëm në ndeshjen e dytë. Lojtarët po automatizojnë veprimet me njëri-tjetrin. Asgjë në futboll nuk vjen me buton dhe brenda ditës. Kemi shpresë, sepse kemi lojtarë të mirë dhe cilësorë, do të shkojmë tek ajo skuadër e fortë, kam besim pavarësisht rezultatit sot.


Strategjia all-in, pse jo një barazim? Patjetër që ne nuk pësuam gol nga tranzicioni, por kur ishim me një lojtar më shumë. Ishte mungesë përqendrimi, që ndodh në çdo skuadër. Në minutat e fundit nuk ndikon një lojtar që ka dalë jashtë”, tha Ahmataj.

“KORÇA BOOM”


bottom of page