U zhduk pa lënë gjurmë, gjendet i vd*kur në pus pas disa ditësh kërkimesh
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku trupi i pajetë i një 31-vjeçari shqiptar është gjetur brenda një pusi rreth 10 metra të thellë, në zonën e Longianos, në provincën e Forli-Cesenës.
Sipas mediave italiane, viktima është identifikuar si Denaldo Maxhallaku. Dyshimet paraprake janë se i riu mund të jetë vrarë me armë zjarri, ndërsa rrethanat dhe motivet e mundshme të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Trupi u zbulua nga karabinierët gjatë kërkimeve të nisura pasi 31-vjeçari kishte humbur kontaktet me familjarët. Në operacion u angazhuan edhe njësi me qen kërkimi. Kontakti i fundit i tij me familjen raportohet të ketë qenë më 7 tetor 2026, rreth orës 20:30, në zonën e Savignano sul Rubicone.
Një ditë më vonë, më 8 tetor, automjeti i tij, një Fiat Punto e zezë, u gjet i djegur plotësisht në zonën e Roncofreddos, pranë lumit Rubicone, disa kilometra larg vendit ku u zbulua trupi.
Pas gjetjes së automjetit, autoritetet intensifikuan kërkimet në zonën mes Roncofreddos dhe Soglianos, përgjatë rrugës provinciale 85, e njohur si Fondovalle Rubicone.
Pranë vendit ku u gjet trupi, hetuesit kanë zbuluar edhe disa gëzhoja pistolete, të cilat mund të përbëjnë prova të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.
Prokuroria e Forlit ka nisur hetimet për vrasje, nën drejtimin e prokurorit Enrico Cieri. Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e vdekjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Hetimet vijojnë, ndërsa dyshimet paraprake pritet të verifikohen nga ekspertizat dhe provat e mbledhura në vendngjarje.
“KORÇA BOOM”
















