top of page

Vetëm 14% e plazheve me ujëra të shkëlqyera, bie cilësia krahasuar me 2023

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 3
  • 2 min read

Një raport i fundit i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit ngre alarmin për ndotjen e ujërave bregdetare dhe lumenjve në vend. Sipas të dhënave, burimet kryesore të ndotjes së plazheve lidhen me rritjen e numrit të pushuesve në sezonin turistik, shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara dhe prania e mbetjeve inerte në zonat bregdetare.


Plazhet që vlerësohen me cilësi më të mirë për vitin 2024 janë ato në jug të vendit: Lukova, Palasa, Drimadhe, Dhërmi, Jalë, Livadh dhe Borsh, ndërsa në veri dhe qendër dallohen Shëngjini, Tale, Gjiri i Lalzit, Semani, Derëzeza, Divjaka, Zvërneci dhe Orikumi.


Nga ana tjetër, situata është më problematike në plazhet e Velipojës, Durrësit, Kavajës, Qerretit, Spillesë, Vlorës, Himarës, Qeparosë, Sarandës, Ksamilit dhe Lin-Pogradecit, ku kërkohet ndërhyrje urgjente për përmirësimin e cilësisë së ujërave.


Raporti tregon se vetëm 14.6% e stacioneve të monitoruara për cilësinë e ujërave të larjes janë vlerësuar si me cilësi “të shkëlqyer”, një rënie e ndjeshme krahasuar me vitin 2023, kur kjo shifër ishte 27.8%. Megjithatë, plazhet me cilësi të mirë përbëjnë 43.6% të totalit, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin e kaluar.


Agjencia thekson se përmirësimi i situatës kërkon trajtimin e detyrueshëm të ujërave të ndotura para derdhjes në det apo lumenj. Edhe pse qeveria ngriti një task-forcë për të ndëshkuar subjektet që nuk kishin impiante pastrimi, rezultatet në terren nuk kanë qenë të dukshme.


Probleme të mëdha janë evidentuar edhe në lumenjtë kryesorë të vendit, si ai i Tiranës, Ishmi dhe Gjanica, të cilët mbeten ndër më të ndoturit. Mbeturinat në shtretërit e lumenjve dhe shfrytëzimi i paautorizuar i zhavorrit në lumenjtë Drin dhe Mat po përkeqësojnë më tej situatën.


Ekspertët kërkojnë ndërhyrje urgjente në trajtimin e ujërave të ndotura urbane dhe kontroll më të rreptë ndaj subjekteve që kontribuojnë në ndotjen mjedisore, në mënyrë që të mbrohet cilësia e plazheve dhe ekosistemeve ujore në vend.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page