Vodhi targat e 5 automjeteve në Korçë, 23-vjeçari bie në prangat e policisë
- Korca Boom
- Dec 29, 2025
- 1 min read
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar një 23-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e targave të pesë automjeteve të ndryshme.
Operacioni u finalizua pas veprimeve hetimore dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, të cilat çuan në zbardhjen e plotë të rasteve.
Sipas policisë, autori i dyshuar është shtetasi D. V., 23 vjeç, banues në Korçë, i cili u arrestua për veprën penale “Vjedhja”, e kryer më shumë se një herë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan pesë targa automjetesh të vjedhura, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se po vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi dhe për verifikimin e përfshirjes së tij në raste të tjera të ngjashme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme ligjore.
"KORCA BOOM"



















