Zhduken dy motra të mitura, i dashuri i 16-vjeçares: Ajo kishte ndryshuar ditët e fundit
- 1 hour ago
- 2 min read
Dy motra të mitura, përkatësisht 16 dhe 12 vjeçe, rezultojnë të zhdukura nga një qendër rezidenciale për të mitur në zonën e L’Aquila-s, në Itali, duke ngritur shqetësim te autoritetet dhe familjarët e tyre. Rasti po hetohet nga Prokuroria e Sulmonës, ndërsa mes pistave që po shqyrtohen është edhe ajo e një rrëmbimi të mundshëm.
Sipas raportimeve të mediave italiane, i dashuri i 16-vjeçares Alisya Di Giacinto ka dëshmuar para hetuesve se sjellja e vajzës kishte ndryshuar kohët e fundit dhe se ajo dukej më e tërhequr se zakonisht.
“Ishte sikur kishte diçka brenda që donte të ma thoshte, por nuk arrinte ta shprehte”, ka thënë ai, duke shtuar se vajzat “kishin frikë nga errësira”.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht ndonjë motiv që mund të ketë çuar në largimin e tyre.
Hetuesit po analizojnë disa pista, përfshirë edhe mundësinë e një rrëmbimi, ndërsa deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka elemente që të tregojnë se dy motrat janë larguar me vullnetin e tyre.
Operacioni i kërkimit ka hyrë në ditën e pestë, me përfshirjen e njësive të specializuara dhe qenve gjurmues të trajnuar për kërkimin e personave të zhdukur. Një raportim për një shikim të mundshëm të vajzave, i bërë më herët, nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dy motrat dyshohet se janë larguar nga qendra ku qëndronin mes orës 02:00 dhe 05:00 të mëngjesit të datës 7 qershor. Ato nuk kanë marrë me vete telefonat celularë apo sende të tjera personale që mund të ndihmonin në identifikimin ose gjurmimin e tyre.
Prindërit e vajzave, të cilët janë të divorcuar, kanë apeluar publikisht për ndihmë në gjetjen e tyre. Ndërkohë, hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sulmonës dhe prokurorit Stefano Iafolla, i cili ka regjistruar një procedim penal për veprën e “rrëmbimit të të miturve”./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















