top of page

Zhvillim apo Rrënim?/ Stadiumi i ri i Korçës miratohet mes debatit: shqetësime për transparencën dhe ndikimin në qytet

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jul 21
  • 2 min read

NGA Klajdi PLLAHA


Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi sot projektin për ndërtimin e stadiumit të ri “Skënderbeu” dhe zhvillimin e gjithë zonës sportive përreth. Vendimi ka ngjallur diskutime të forta në opinionin publik dhe qarqet politike të qytetit, për shkak të mënyrës së miratimit dhe pasojave që pritet të sjellë.


Projekti parashikon ndërtimin e një stadiumi të ri modern, si dhe rikonstruksionin e pallatit të sportit dhe pishinave. Ndërtimi i stadiumit do të realizohet përmes bashkëpunimit me një investitor strategjik, i cili do të financojë punimet në këmbim të së drejtës për të zhvilluar objekte tregtare — hotele, restorante, zyra — në truallin rreth stadiumit.


Pallati i sportit është tashmë në proces tenderimi, me një financim prej 250 milion lekësh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 38 milion lekë nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia Korçë. Për ndërtimin e stadiumit, ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka siguruar fonde, çka ka shtyrë bashkinë të kërkojë ndihmën e Korporatës Shqiptare të Investimeve për të gjetur investitorin privat.


Në reagimin e tij publik para mbledhjes së sotme, këshilltari i Nismës Thurrje, Klajdi Pllaha, theksonte disa problematika të projektit, duke përmendur mungesën e një konsultimi të gjerë me qytetarët, humbjen e pistës olimpike të atletikës në projektin aktual, shkatërrimin e lulishteve publike që ndodhen në zonë dhe rrezikun e shpronësimeve të pronarëve të truajve rreth stadiumit pa një proces të drejtë dhe transparent.


Nga ana tjetër, deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Fidel Kreka, ka reaguar ashpër pas votimit, duke e quajtur projektin një “maskaradë të mbështjellë me mashtrime dhe interesa të errëta”. Kreka akuzoi drejtuesit vendorë dhe qendrorë për mungesë transparence, përjashtim të qytetarëve nga procesi dhe orientim të projektit drejt klientelizmit dhe betonizimit.


“Kush ju dha të drejtën të vendosni për pasuritë publike pa pyetur qytetarët? Asnjë dëgjesë, asnjë shpjegim, vetëm një skemë e diktuar nga lart nga Niko Peleshi dhe zbatuar verbërisht nga Sotiraq Filo. Përfundimi dihet: kulla, beton dhe qytetarë gjithnjë e më të varfër,” shkroi Kreka.


Sipas tij, miratimi i projektit përbën një tjetër “krim politik dhe moral mbi qytetin”, dhe ai deklaroi se nuk do të bëhej pjesë e këtij vendimi, duke e quajtur votën e këshilltarëve që e mbështetën një akt të turpshëm.


Pavarësisht kritikave, projekti u miratua nga shumica e Këshillit Bashkiak dhe pritet të nisë së shpejti me rikonstruksionin e pallatit të sportit, ndërsa për pjesën e stadiumit do të pritet finalizimi i marrëveshjes me investitorin strategjik.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page